Qyteza ruse rrethohet nga arinjtë polarë, banorët kyçen në shtëpi – A2

Qyteza ruse rrethohet nga arinjtë polarë, banorët kyçen në shtëpi

Një qytezë e vogël ruse, përballë Alaskës amerikane, është tashmë e pushtuar. Nuk është skenari i një filmi mbi luftën e ftohtë, por përditshmëria e kohëve të fundit të rreth 500 banorëve të Ryrkaypiy, në gadishullin e Çukit, në Siberinë lindore.

Në afërsi të banesave, shkollave dhe dyqane e të pakta të qytezës veriore, 56 arinj polarë janë mbledhur  në grup dhe ushqehen me atë që gjejnë.

Arinjtë afër Ryrkaypiy

Për momentin ato po mjaftohen me një familje luanësh deti, por me kalimin e kohës uria do shtojë agresivitetin e tyre dhe mund të përbëjnë një rrezik të qartë për banorët.

Ndërkohë, jeta në vendbanimin e rrethuar nga kafshët “ka ngrirë”, më shumë seç ndodh rëndom nga temperaturat siberiane, dhjetëra gradë nën zero.

Të gjitha aktivitetet publike janë anuluar, shkollat mbrohen me armë nga policia dhe prindërit vullnetarë,  dhe në dyshim janë edhe celebrimet për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Arsyeja e një pranie aq të madhe arinjsh ka të bëj, edhe njëherë, me ndryshimet klimaterike që kanë holluar së tepërmi trashësinë e akullit. Kjo ka shtrënguar speciet që jetojnë në ato zona, në veçanti arinjtë që gjuajnë peshq ose luanë deti, që të spostohen gjithmonë e më shumë drejt tokës.