Rama: Nuk kemi detyruar punonjësit për të dhënë para nga rroga – A2

Rama: Nuk kemi detyruar punonjësit për të dhënë para nga rroga

Në mbledhjen e radhës së jashtëzakonshme, qeveria miratoi vendimin për pezullimin e fondit të veçantë buxhetor për veprimtari social-kulturore dhe shpërblimin e punonjësve.

Kryeministri Rama mohoi lajmin e dhënë në disa media se shumë institucione janë detyruar të lenë një pjesë të pagës së tyre të dhjetorit për personat e prekur nga tërmeti.

“Është një vendim që ndalon përdorimin e fondit të veçantë për vitin buxhetor për veprimtari social kulturore dhe shpërblime punonjësish në institucione për Vitin e Ri. Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhurim, kryetarë bashkish, drejtues institucionesh, punonjës. Refuzoj shpifjen tjetër që ne kemi detyruar gjithë punonjësit të japin lekë nga rroga se s’kemi lekë. Kjo është pavërtetë. Asgjë nuk është bërë në mënyrë detyruese. Të gjithë janë ftuar të japin kontribut vullnetar. Ne vetë i dedikuam rrogën e nëntorit. Askush nuk duhet të dedikojë fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore, nga institucione publike të krijuar me ligj të posaçëm, nga institucione të qeverisjes vendore, njësi të fondeve speciale ndërmarrje e shoqëri tregtare me kapital mbi 50% shtetëror në varësi të institucioneve qendrore e vendore për Vitin e Ri, për darka e për valle”, deklaroi kreu i qeverisë.