DËSHMI | “Revolucioni i kadifenjtë”, tranzicioni i pushtetit në Çekosllovakinë komuniste

Publikuar më: 7/12/2019, ora 23:00

DËSHMI | “Revolucioni i kadifenjtë”, tranzicioni i pushtetit në Çekosllovakinë komuniste

Publikuar më: 7/12/2019, ora 23:00

Ndonjëherë duhet shumë pak për të ndryshuar historinë. Dhe në pjesën më të madhe të ish-vendeve komuniste, ndryshimin e bënë studentët. Do të ndalemi sot tek “Revolucioni i kadifenjtë” apo siç njihet ndryshe edhe si “Revolucioni i butë” që ishte një tranzicion jo i dhunshëm i pushtetit, në atë çka në atë kohë ishte Çekosllovakia. Ngjarjet rrodhën nga 17 nëntori deri më 29 dhjetor 1989.

Protestat popullore kundër Qeverisë një-partiake, Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, përfshiu studentët por edhe qytetarë të tjerë të të gjitha moshave, deri tek të moshuarit. Rezultati ishte fundi i regjimit 41-vjear i Partisë Komuniste.

Tronditjet e vitit 1968

Viti 1968 mbetet një nga më dinamikët në historinë moderne, shënuar nga tronditje gjeopolitike, që përfshinë vrasjet e Robert Kennedy dhe Martin Luter King, protestat studentore përqark botës dhe njeriun e parë që orbitoi hënën. Në po atë vit, Bashkimi Sovjetik drejtoi një grup shtetesh, që kishin nënshkruar Traktatin e Varshavës, drejt kufirit të Çekosllovakisë, për të shtypur një revoltë anti-komuniste në Pragë.

Në dekadat që pasuan, regjimi komunist në Europën Lindore vazhdoi. Deri në vitet ’80, edhe në librat e historisë, nuk përmendej në asnjë moment, protesta e vitit 1968 apo Revolucioni i Kadifenjtë. Edhe të flisje mes miqsh, ishte tabu.

 Sipas dëshmive të mëvonshme, edhe kur të vegjlit pyesnin të rriturit, ata përgjigjeshin se një grup i ngushtë studentësh nisën një protestë të dhunshme pro-kapitaliste dhe sovjetikët, bashkë me aleatët, nuk ngurruan të nisnin menjëherë ofensivën për të përmbushur detyrimin ndërkombëtar për të ndihmuar shtetet vëllazërore socialiste, në një kohë që shumica e popullit donte paqe.

Ishte gushti i vitit 1968. Mijëra vetë, qytetarë çekosllovakë, dolën  në protesta në rrugët e Pragës, duke kërkuar reforma politike dhe shtypjen e regjimit të egër të Partisë Komuniste, që në atëkohë drejtohej nga Milos Jakes. Demonstratat, të organizuara nga një grup studentësh, nisën në një kampus përkujtimor, atje ku 50 vjet më parë nazistët kishin vrarë studentë që protestonin kundër pushtimit gjerman të vendit por që shpejt u shndërrua në protestën më të madhe anti-komuniste.

Më 21 gusht 1968, 200 mijë trupa ushtarake sipas Traktaktit të famshëm të Varshavës, kryesisht sovjetikë por edhe polakë, hungarezë e bullgarë, zbritën në Pragë, në një përpjekje për të shtypur përfundimisht reformat dhe regjimin e Partisë Komuniste Çekosllovake, për të shtypur një herë e mirë censurën e për të liberalizuar lirinë e lëvizjes dhe udhëtimit.

“Pranvera” e Pragës

Pas 3 vitesh, historia u përsërit. Këtë herë, populli ishte më i bashkuar dhe fuqia e tyre këtë herë, ishte vështirë të thyhej. Më 17 nëntor, 500 mijë demonstrues u mblodhën në qendër të Pragës, për të kërkuar zgjedhje të lira dhe për ti dhënë fund regjimit komunist, në atë që po shndërrohej në protestën më të madhe në vend që prej gushtit 1968, në atë që njihet ende sot si “Pranvera e Pragës”.

Protesta e 17 nëntorit përfundoi me përplasje të dhunshme mes policisë dhe demonstruesve. Protestat vazhduan edhe ditët në vijim. Liderët opozitarë çekosllovakë u takuan, në ditën e 10-të të protestave, me kryeministrin e asaj kohe Ladislav Adamec. Delegacioni përbëhej nga 10 liderë të partive opozitare, mes tyre anëtarë të lëvizjes opozitare të sapo-formuar “Forumi Civil”, në krye të të cilës qëndronte Vaclav Havel si dhe përfaqësues të Lëvizjes Rinore të Partisë Komuniste.

Kryeministri Adamec nisi bisedimet me disidentin Havel dhe figurat e tjera të opozitës, në përpjekje për të frenuar krizën e përshkallëzuar politike, që po pushtonte Çekosllovakinë, gjithnjë e më shumë. Takimi ishte edhe përpjekje e autoriteteve për të parandaluar krizën dhe për të shtypur protestën e përgjithshme 2 orëshe, që ishte lajmëruar se do të mbahej më 27 nëntor.

Protestat gjatë “Pranverës së Pragës”

Në një gjest surprizues, kryeministri Adamec, iu bashkua Havel dhe Dubcek, ky i fundit hartues e drejtues i reformave të “Pranverës së Pragës”, në protestën opozitare, në të cilën morën pjesë rreth 400 mijë protestues. Punëtorë nga e gjithë Çekosllovakia iu bashkuan protestës, për të mbështetur kërkesat e opozitës, për t’i dhënë fund regjimit komunist, pas 10 ditësh protesta popullore.

 Liderët komunistë të Çekosllovakisë u dakordësuan për tërhequr dorë nga pushteti, që e kishin centralizuar vetëm në duart e tyre dhe të formojnë një koalicion qeverisës me opozitën, përfshirë këtu komunistët dhe anëtarët e partive politike të pavarura.

Parlamenti çek votoi unanimisht për disa ndryshime të kushtetutës, që do t’i jepte fund monopolit të Partisë Komuniste mbi pushtetin. Parlamenti, me 350 anëtarë, Asambleja Federale, votoi për fshirjen nga kushtetuta të Artikullit 4, në të cilën sanksionohej se Partia Komuniste kishte “Rolin drejtues të vendit”.

Kryeministri Adamec dha dorëheqjen, pavarësisht përpjekjeve për të formuar një qeveri të re, të pranueshme nga opozita pro-demokratike çekosllovake. Kryeministri e braktisi takimin me Frontin Kombëtar, një grup organizatash të pavarura parlamentare, përgjatë negociatave për të zgjedhur qeverinë e re.

Qeveria e re do të drejtohej nga Marian Calfa, që u betua përpara presidentit Husak, vetëm pak ditë përpara se ky i fundit të dorëhiqej nga posti. Betimi i kryeministrit të ri, shënoi fundin e një revolucioni paqësor, të drejtuar nga Vaclav Havel, i cili më herët kishte vuajtur dënimin me 5 vjet burg, për kundërshtim të komunizmit.

Havel , “shpirti i Revolucionit”

Kështu, viti 1989 u bë viti i mrekullive politike, viti i kthesave të mëdha në kampet socialiste. Socializmi u përmbys fillimisht në periferitë e kampit socialist, në Europën Lindore dhe u zhvendos më pas në qendër, Bashkimin Sovjetik. Afërsia me perëndimin dhe kontrastet në zhvillimin ekonomik, e sidomos në nivelin e jetesës, u bënë faktorë nxitës për miliona punonjës, që dolën në rrugë dhe kërkuan ndryshimin e realitetit ekzistues. Kështu, me gjithë praninë ushtarake e sovjetike, në fund të viteve ’60 dhe gjatë viteve ’70-’80, dalëngadalë, fillimisht me frikë e më pas haptazi, lindën dhe u rritën forcat opozitare, të cilat sa më tepër thellohej kriza e regjimit, aq më aktive bëheshin në paraqitjen e ideve dhe platformave reformiste.  

Kudo në vendet e Europës u krijua bindja, gati në të gjitha shtresat e popullsisë, se jeta dhe gjendja para luftës, ishin më të bukura e me standard më të lartë. Kudo po kërkohej largimi i udhëheqësve të vjetër konservatorë, rritja e pagave dhe shpërndarja e kooperativave që e kishin rrënuar jetën në fshat. Intelektualët kërkonin liri krijuese dhe shtypjen e censurës.

Nga mesi i viteve ’80, kur u duk qartë se vetë sovjetikët, që ishin mbrojtësit kryesore të sistemit socialist, po i braktisnin parimet e mëparshme, liderë në disa vende si Poloni, Hungari e Bullgari, nisën rrugën e kompromiseve me reformatorët. Ata dhanë dorëheqjen dhe synonin një tranzicion paqësor për vendet e tyre, ndërsa në Gjermani dhe Çekosllovaki, liderët partiakë u treguan më këmbëngulës, derisa panë se pas protestave, pjesë e revolucionit të kadifenjtë, me popullin u bashkua edhe ushtria e policia.

Havel

Opozita luajti rolin kryesor në ndryshimin e të ardhmes. Mes tyre spikati ndër vite një emër, padyshim intelektual. Vaclav Havel ishte dramaturgu që vuri emër në vitet ’60. Liria që solli “Pranvera e Pragës” në 1968-ën, e lejoi Havel që të satirizonte regjimin komunist.

Por pushtimi sovjetik që i dha fund reformave, e bllokoi edhe punën e tij. Nga ai moment, Havel u detyrua të shkruajë në fshehtësi. Por Havel nuk hoqi dorë. Ai nuk pajtohej me këtë situatë. Ende sot ai kujtohet si njeriu që udhëhoqi tranzicionin e Çekosllovakisë drejt demokracisë dhe ekonomisë së lirë. Ai udhëhoqi vendin drejt ndarjes paqësore, Republikën Çeke dhe Sllovakinë, në 1993.

Vaclav Havel, dramaturgu i ndrojtur por që studioi gjithë jetën e tij, u shndërrua në simbolin e fuqisë popullore që përmbysi pa dhunë, sistemin totalitar. E vërteta dhe dashuria duhet të triumfojnë mbi gënjeshtrat dhe urrejtjen, ishte shprehja e famshme e tij. Kjo ishte edhe motoja e tij në jetë. Havel përshkruhet si bohemi që edhe në politikë, donte estetikë.

Si politikan, Havel, që kish bërë burg për disa vjet për shkak të pjesëmarrjes në protestat anti-qeveritare, u shndërrua në simbol të Çekosllovakisë në botë, si luftëtar për liri e demokraci, duke besuar se politika mundet dhe duhet të bazohet në ndershmëri e moral. Vaclav Havel ishte ndër të rrallët që kishte kuptuar fare mirë se çfarë po ndodhte në vend. Ndaj asnjëherë nuk ngurroi që të dallonte agresorin dhe viktimat e tij.

Havel ishte europian i madh. Liria në Çekosllovaki, pa të, do të ishte e paimagjinueshme. Europa pa Havelin do të kish qenë më e varfër, do të shpreheshin për të, liderë botërore. Haveli foli në emër të të shtypurve, përmes fjalëve të tij.

Cekët sot e quajnë “Shpirti i Revolucionit”. Fjalët e tij nxitën zgjimin demokratik, jo vetëm në Çekosllovaki. Pa ato fjalë të fuqishme, nuk do të kishte liri për miliona njerëz, që jetonin në diktatura komuniste.

Haveli ishte zëri i “Revolucionit të Kadifenjtë”, në ngjarjet e vitit 1989, që ç’rrënjosi përgjithnjë Perandorinë Sovjetike. “Revolucioni i Kadifenjtë” ishte kulmi i një përpjekje të gjatë në shumë qoshe të bllokut lindor, të drejtuar nga sovjetikët. Ai mori emrin “i Kadifenjtë” sepse tranzicioni i pushtetit u konsiderua jo i dhunshëm. Ai ngjasonte me protestën e studentëve në 1956 në Budapest. Por njësoj, studentët kishin protestuar në Poznan të Polonisë.

Për shumë vite, qindra vetë ishin vrarë e plagosur gjatë protestave anti-komuniste. Dhuna policore në Pragë në nëntor 1989, ishte e paprecedentë dhe një gjë e tillë nuk ishte parë që nga “Pranvera e Pragës”. Por ndryshe nga protestat e viteve 1956 dhe 1968, këtë herë ushtria sovjetike nuk ndërhyri. Kjo lëvizje nxiti në organizim dhe veprim “Forumin Civil”, një lëvizje disidente që drejtohej pikërisht nga Havel, e u shndërrua në një grup të mirëfilltë opozitar.

Të inkurajuar prej tyre, populli në Çekosllovaki, zgjodhi të mos kishte më frikë. Ajo çka nisi si protestë, përfundoi në një revolucion që ndryshoi gjithçka. Pas dorëheqjes së presidentit Husak dhe kryeministrit Adamec, nisën bisedimet për krijimin e qeverisë së re, e cila do të përfshinte edhe individë nga opozita që kishin vuajtur dënime me burg, këto zhvillime, i dhanë jetë një demokracie të re, në zemrën e bllokut komunist. Parlamenti në Pragë zgjodhi Dubcek si kryetar, duke e rikthyer atë në detyrë, në një zyrë shteti, për herë të parë pasi humbi pushtetin më shumë se dy dekada më parë, pasi ndërhyrja sovjetike, shtypi “Pranverën e Pragës”.

Parlamenti gjithashtu nisi përgatitjet për të zgjedhur Havel si President Federal. Ishte e qartë se tashmë politika dhe e ardhmja do të ndryshonin. Vendi do të drejtohej nga Havel, askush tjetër nuk kishte moralin e tij, personal dhe politik. Ai ishte poeti, që për shumë gjatë, kundërshtoi totalitarizmin komunist në vendlindjen e tij, ishte disident dhe bashkëthemeluesi lëvizjes së njohur “Charter 77”, për të cilën edhe u dënua me burg.

Presidenti i dy shteteve

Më 29 dhjetor, Asambleja Federale, zgjodhi me votë unanime Havel për postin e Presidentit. Havel ishte presidenti i parë jo-komunist i Çekosllovakisë që prej vitit 1948 dhe që gëzonte një mbështetje kaq të gjerë në popull. Dramaturgu i njohur për dramat dhe esetë dedikuar Çekosllovakisë, e pranoi detyrën për t’i shërbyer vendit si president, me kushtin që këtë post, ta mbante deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira.

Vaclav Havel

Në 1990 në Çekosllovaki u mbajtën zgjedhjet e para të lira, në 44 vjet, që rezultuan me fitoren e pritur të “Forumit Civil” dhe bashkëpunëtorëve sllovakë “Publiku kundër dhunës”. Çekët thonë se Havel, për këdo që e njohu, linte impresion të jashtëzakonshëm, si njeri dhe politikan.

Në vitin 1992, çekosllovakët kërkuan më shumë autonomi, në protestat që bllokuan edhe funksionimin e qeverisë. Njerëzit, mes tyre edhe Havel, e kishin të pamundur të ndalonin atë që do të ndodhte, ndarjen e Çekosllovakisë. Më 1 janar 1993, cekët dhe sllovakët u ndanë.

Shumë ish-disidentë u larguan nga qeveria. Havel qëndroi në pushtet dhe deri atë vit, kish fituar shumë beteja. Vaclav Kalus, një nga këshilltarët e tij politik, u emërua pasues i tij. Republika Çeke ishte me shumë gjasë jo vendi që idealistët si Havel e miqtë e tij disidentë, kishin shpresuar. Tashmë, qytetarët ishin të lirë të flisnin ndërsa vendi ruante zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik si dhe kishte një sistem social tipik europian.

Havel ishte presidenti i fundit çekosllovak dhe i pari president çek. Pas ndarjes së Republikës Çeke dhe Sllovakisë, Havel u rizgjodh president, duke i shërbyer vendit për 10 vjet, nga viti 1993 deri në 2003, viti kur edhe doli në pension. Për 4 vitet që do të pasonin, Havel iu rikthye sërish pasionit të tij. Në prill të 2007, botoi librin “Thënë të vërtetën”.

Republika Çeke, ka ende nevojë për protesta

Sot, Republika Çeke, është vend anëtar i NATO-s, renditet mjaft mirë në Indeksin për kapital njerëzor të Bankës Botërore, madje qëndron gati në të njëjtin nivel me Danimarkën dhe SHBA-të. Gjithsesi, edhe sot, thuajse 30 vjet pas revolucionit të Kadifenjtë, që ndryshoi rrjedhën e historisë, çekët protestojnë kundër korrupsionit. Këtë herë, cekët kanë zbritur në rrugët e Pragës, në protestë kundër Andrej Babis, miliarderit që shërben si kryeministrit që prej tetorit të vitit 2017.

Protesta në Pragë , 2019

Ai akuzohet se ka mashtruar, duke përdorur grante në shumën e 2 milionë eurove të Bashkimit Europian, për një nga bizneset e tij. Ai akuzohet gjithashtu se ka bashkëpunuar me regjimin komunist dhe se mban marrëdhënie shumë të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin. Target i protestave është edhe presidenti Milos Zeman, pasi ka shkelur kushtetutën. Mes liderëve europianë, Zeman njihet për mbështetjen që siguron në çdo rast nga Rusia. Por sondazhet në vend tregojnë se si Babis ashtu edhe Zeman, gëzojnë mbështetje të gjerë popullore, ndaj edhe nuk pritet që ata të dorëhiqen.

Por protestuesit në Pragë nuk dekurajohen. Nga ditët e “Pranverës së Pragës”  e deri tek “Revolucioni i Kadifenjtë”, ata e kuptojnë se revolucionet i shërbejnë kryesisht të rinjve. Të shkaktosh ndryshime themelore, është shpesh proces i vështirë. Ndonjëherë bashkë me protestuesit bashkohen edhe liderë të përgjegjshëm.

Por fuqinë e ka shoqëria civile, që përmes protestave jo të dhunshme, si revolucioni i kadifenjtë, mundtë rrëzojnë çdo qeveri, kryesisht qeveritë e korruptuara.