Kukësi përmbys Tiranën, kryeqytetasit fillojnë të shikojnë “mbrapa” – A2

Kukësi përmbys Tiranën, kryeqytetasit fillojnë të shikojnë “mbrapa”

Tirana pëson një tjetër humbje dhe largohet pothuajse përfundimisht nga kreu i klasifikimit në Superiore, ndërkohë që Kukësi përfiton nga rënia e Partizanit në Ballsh dhe është larg vetëm një pikë.  

Kryeqytetasit e fillojnë mirë ndeshjen dhe kalojnë menjëherë në avantazh me Edon Hasanin, që shfrytëzon një harkim të bukur të anglezit NGoo. Në pjesën e parë, bardheblutë kanë edhe raste të tjera, veçanërisht me Halilin, ndërkohë që verilindorët protestojnë për një penallti të mohuar sipas tyre.

Ndërkohë, pjesa e dytë flet vetëm për Kukësin. Në minutën 65 Shkurtaj barazon falë një penalltie të ekzekutuar me një “panenka”, një parabolë që fillimisht godet traversën.

Dhjetë minuta më vonë ekipi i Shpëtim Duros përmbys rezultatin me Gavazajn, falë një aksioni vërtet mbresëlënës.  

Në minutën 80-të, ka një buzëqeshje edhe për kristal Abazajn, që shënon me një goditje dënimi ku ndoshta Ilion Lika, deri aty nga më të mirët e Tiranës, mund të kishte bërë diçka më shumë.

Me fitoren e sotme, Kukësi shkon në kuotën e 24 pikëve në vendin e dytë, ndërkohë që Tirana me 19 pikë po fillon të shikojë mbrapa.