Rama në Vorë e Tiranë: Nuk ju kemi harruar – A2

Rama në Vorë e Tiranë: Nuk ju kemi harruar

Mëngjesin e së shtunës, kryeministri Edi Rama takoi disa familje të fshatrave të Vorës, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i shtatorit.

24 banesa në këtë zonë po rindërtohen dhe janë drejt përfundimit, por qeveria u habit me veten kur pa punimet.

“E paskemi bërë edhe më të bukur nga sa e premtuam”, tha ministrja Balluku.

Më pas, habia i la vendin këshillave. “Varni hudhra te dera”, tha Rama.

Në vend të falenderimeve, banorët tentuan temat e politikës, por kryeministri nuk donte të dëgjonte: “Mos u ngatërro me politikë se shyqyr kemi rënë rehat nga ajo pjesë. Është hall i madh ky që kemi, por një të mirë ka kjo punë, që për momentin kemi rënë rehat nga ajo pjesë”.

Në një tjetër zonë të Vorës hasi në të njëjtin problem. Kur iu prezantua një nga banorët si kreu i PS-së në fshat, Rama iu përgjigj: “Lëre partinë. E pe tërmetin? Tërmeti nuk pyet për parti. Të vjen e të merr, nuk të kërkon se çfarë partie je. Edhe ne duhet të qeverisim e të bashkëpunojmë, partitë vijnë mbrapa”.

Rama siguroi banorët se nuk i ka harruar ata që u dëmtuan nga tërmeti. Garant të fjalës së tij, emëroi ministren Balluku.

“Kjo është shejtani më i madh, po e tha, e bën. Ajo është njësh, unë jam dyshi pas kësaj për këto punë. Ne nuk i kemi harruar ata të shtatorit. Janë të gjitha të shënuara, puna vazhdon, por do pak durim kjo punë”, tha kryeministri.

Në zonën e Tiranës janë 50 shtëpi të reja që po zëvendësojnë ato të dëmtuarat. Kryebashkiaku Erion Veliaj ia dorëzoi çelësin e protagonizmit kryeministrit, i cili me mënyrën e tij falenderoi sipërmarrësin të cilit i kishte lindur në zemër të ndihmonte.

“Luanit ia dha zemra bam, bam, bam dhe e kuptoi që jeta është e shkurtër. Sa herë ia jep zemra, bën bamirësi ky”, u shpreh Rama.