Sipërmarrja në vështirësi, Basha në Durrës propozon 5 masa lehtësuese – A2

Sipërmarrja në vështirësi, Basha në Durrës propozon 5 masa lehtësuese

Dëmi fizik në ndërtesa është vetëm një pjesë e problemeve që tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar në Durrës. Kryedemokrati Lulzim Basha takoi disa sipërmarrës, të cilët i treguan se po vuajnë mungesën e forcës punëtore që ende nuk është kthyer në qytet.

I njëjti problem shfaqet edhe në një biznes fason, ku puna ende nuk ka nisur. Sipërmarrësi tregon se është detyruar të mbyllë kontrata, duke rënduar koston financiare të tërmetit.

Në një tjetër biznes fason, puna ka nisur pas pesëditësh ndërprerje, por personeli ende nuk është i plotë. Sipas Partisë Demokratike, në Durrës janë me qindra bizneset e dëmtuara nga tërmeti.

Me ta, kryedemokrati Basha, propozoi në emër të opozitës së bashkuar edhe 5 masa lehtësuese për biznesin.

Me pikën e parë, PD kërkon “përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore  gjatë periudhës së rindërtimit për të gjithë operatorët ekonomikë me aktivitet në zonat e prekura”, ndërkohë që me pikën 2 kërkohet përjashtimi nga tatim fitimi “për të gjitha subjektet që e ri-investojnë fitimin për të rikuperuar dëmet e tërmetit”.

Pika 3 ka të bëj me “pezullimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore deri në rikuperimin e dëmeve”, ndërkohë pika 4 kërkon “përjashtimin nga tvsh për të gjitha materialet, lëndët e para, mjetet kapitale që përdoren për rikuperimin e dëmeve”.

Së fundmi, opozita kërkon edhe “pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit gjatë kohës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.