Tortura “Brexit”, historia e trazuar e Londrës me Bashkimin Europian – A2

Tortura “Brexit”, historia e trazuar e Londrës me Bashkimin Europian

Në 23 qershor të vitit 2016, populli britanik votoi me shumicë të lehtë pro shkëputjes nga Bashkimi Europian, në një referendum të organizuar nga atëherë Kryeministri David Cameron. Referendumi nuk ishte detyrues, por Qeveria kishte premtuar ta zbatonte rezultatin e tij. Kalvari torturues që do të shoqëronte divorcin ishte përtej asaj që David Cameron, apo kryeministrat që e pasuan, do ta kishin imagjinuar…

Një “martesë” e nisur keq

Qasja e Londrës ndaj projektit të Europës së bashkuar ka qenë prej fillimit e mbështetur në themele dyshimi, skepticizmi e shpesh refuzimi. Britania e madhe refuzoi t’i bashkohej paraardhësit të unionit, Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut, (ECSC), kur ai u themelua në vitin 1952. Në vitin 1950 kryeministri laburist Clement Attlee i tha Parlamentit: “Partia ime nuk është e përgatitur të pranojë parimin se forcat më vitale ekonomike të vendit duhet t’i dorëzoheshin një autoriteti jo demokratik dhe pa përgjegjësi për askënd”.

Ekzistonin gjithashtu shqetësime për cenim të mundshëm të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe grupin e Commonwealth-it. Britania qëndroi gjithashtu jashtë Komunitetit Ekonomik Europian, kur ai u formua nga ECSC në vitin 1957. Por Kryeministri i atëhershëm konservator, Harold MacMillan, e përmbysi pozicionin në vitin 1961 dhe kërkoi anëtarësim në organizatë. Me Europën ne ndarë nga Lufta II Botërore, ai tha se promovimi i unitetit dhe stabilitetit europian përmes bllokut, ishte një faktor thelbësor në betejën për liri dhe progres rreth botës. Por Franca udhëhoqi rezistencën ndaj anëtarësimit të Britanisë në vitet 60-të, me Charles de Gaulle që e bllokoi anëtarësimin në vitin 1961 dhe 1967, duke akuzuar Londrën për armiqësi të fshehur ndaj projektit europian…

Britania iu bashkua Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut në vitin 1973, pasi Franca hoqi dorë nga kundërshtitë e saj pas dorëheqjes së Charles de Gaulle në vitin 1969. Ndërsa nënshkroi traktatin, duke e çuar Britaninë e Madhe në tregun e përbashkët, Kryeministri konservator tha se do të duhej imagjinatë për ndërtimin e institucioneve të tij, duke ruajtur njëkohësisht individualitetin e shteteve.

Referendumi i parë, Thatcher dhe Major

Në vitin 1975, kryeministri i ri laburist Harold Wilson, u përball me ndasi mes ministrave të tij lidhur me Europën. Kjo e shtyu të shpallte një referendum për anëtarësimin; 67% e britanikëve votuan pro qëndrimit në Bashkimin Europian. E megjithatë, zgjidhja përfundimtare ishte ende e largët. Edhe pse liderja e re konservatore Margaret Thatcher e mbështeti fushatën për të qëndruar në bllok në vitin 1975, partia e saj u përfshi nga ndasitë e thella lidhur më çështjen, e madje edhe marrëdhënia e saj me liderët europianë ishte shpesh e tensionuar. Thatcher sulmoi idenë e monedhës së përbashkët dhe përqendrimit të madh të pushtetit tek institucionet e Bashkimit Europian, duke i thënë jo planeve të atëherë Presidentit të Komisionit Europian Jacques Delors për më shumë integrim europian në vitin 1990.

“Bëhet fjalë për një organizëm që nuk është zgjedhur nga votuesit dhe unë nuk dua që Komisioni të forcojë pushtetin kundër kësaj dhome. Presidenti i Komisionit Europian Jacques Delors tha në Parlament se dëshiron që Komisioni të bëhet krahu ekzekutiv dhe këshilli i ministrave të funksionojë si senat. Jo, jo, jo…”, do të shprehej Thatcher.

E megjithatë, ajo u sfidua për lidershpin e partisë nga pro-europiani Michael Heseltine dhe u detyrua të linte postin kur dështoi ta mundte atë në nëntor të vitit 1990. Pasuesi i saj John Major u detyrua ta hiqte sterlinën nga mekanizmi i shkëmbimit europian, ERM, në të ashtuquajturën “e mërkura e zezë”, në 16 shtator të vitit 1992. Edhe admistrata e Major nuk i shpëtoi përçarjeve mbi Europën, me Kryeministrin që i cilësoi si bastardë 3 ministra euroskeptikë të kabinetit pasi i mbijetoi mocionit të mosbesimit mbi Traktatin e Mastrihtit të BE. 

Laburistë, apo Konservatorë, problemi “Europë” mbetej

Pas fitores së Tony Blair në zgjedhjet e vitit 1997, ministri i tij i financave Gordon Brown, praktikisht përjashtoi mundësinë e hyrjes në eurozonë duke përpiluar të ashtuquajturat 5 teste ekonomike që vlerësonin gatishmërinë e Londrës ndaj monedhës së përbashkët…

As David Cameron nuk i shpëtoi problemit “Europë” në vitet e fundit në krye të “Downing Street”. Konservatorët u kthyen në pushtet në vitin 2010 pas udhëheqjes 13-vjeçaretë Qeverisë laburiste. Në përpjekjen për të siguruar mbështetje përballë përçarjeve brenda partisë dhe euroskepticizmit të Partisë për Pavarësin, UKIP, në vitin 2015, Cameron premtoi një referendum për qëndrimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Europian. “Qeveria ime do të rinegociojë marrëdhënien e Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Europian”, tha Mbretëresha Elisabeth II në fjalën e saj në Parlament.

Cameron ishte optimist dhe besonte se negociatat me Bashkimin Europian I kishin dhënë britanisë së madhe mjaftueshëm, për të orientuar popullin drejt një vote pro qëndrimit. Por, e kishte gabim. Sepse Britania e Madhe votoi për shkëputjen nga Bashkimi Europian…

Ai përmbajtjen e një referendumi rezultoi një vendim me pasoja katastrofike jo vetëm për karrierën e tij politike, por edhe për fatin e Mbretërisë së Bashkuar. 52% e votuesve mbështetën largimin nga Unioni, ndërsa Cameron u dorëhoq një ditë më vonë. “Do të bëj gjithçka mundem si Kryeministër për të drejtuar anijen gjatë javëve dhe muajve në vazhdim, por unë nuk mendoj se është e drejtë te jem kapiteni që e çon anijen në destinacionin e ri”, do të thoshte gjatë fjalës së tij.

Dorëheqje dhe shtyrje të njëpasnjëshme

Cameron u largua nga skena, duke i ngarkuar mbi shpatulla pasueses Theresa May të gjithë rrëmujën, kaosin dhe zhgënjimin që shoqëronin procesin e Brexit. May nxiti zbatimin e nenit 50-të të Traktatit të Bashkimit Europian, që formalizon nisjen e procedurave të shkëputjes së një shteti. Ajo vendosi 29 marsin e vitit 2019 si datën e divorcit, me ose pa ujdi… “Brexit nënkupton Brexit, dhe ne do ta realizojmë me sukses”, do të shprehej ajo. Por “frenat” e para i vuri Jean Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europian: “Kemi një problem. Britanikët duan të shkëputen nga unioni por kjo nuk është aq ethjeshte..Do të duhet kohe dhe duhet të adresojmë një numër problemesh…

Në një përpjekje për të siguruar mbështetje për planin e saj të Brexit, shpalli zgjedhje të parakohshme në qershor të vitit 2017. Por, ashtu si në rastin e Cameron, nisma rezultoi në një boomerang. May humbi shumicën parlamentare dhe krijoi një qeveri pakice të mbështetur nga Partia Unioniste Demokratike e Irlandës së Veriut. Ky zhvillim, do të shënjonte në mënyrë të pakthyeshme Brexit, duke e futur procesin në një udhë pa krye… Në 13 nëntor May arriti, me jo me pak dhimbje, marrëveshje me liderët e Bashkimit Europian mbi kushtet e shkëputjes. Çështja e kufirit me Irlandën e Veriut e gjithashtu fatura e majme e divorcit prej 4,5 miliardë paundësh ishin çështjet më të kontestuara…

“Nëse je i ulur në një bar dhe porosit 28 birra dhe më pas, papritur dikush nga kolegët ikën ai duhet të paguajë birrën e tij”, ishte batuta e Jean Claude Juncker.

Ligjvënësit e refuzuan ujdinë me 432 vota pro e 202 kundër më votimin e 15 janarit, në atë që u konsiderua si disfata më e rëndë parlamentare për një Qeveri, në historinë moderne të Britanisë së Madhe… “Dhoma e komunëve foli dhe Qeveria do të dëgjojë. Është e qartë se nuk e mbështesni marrëveshjen, por votimi nuk thotë asgjë për atë që mbështesni…”, iu tha May deputetëve.

May u rikthye në Strasburg në 11 mars të vitit 2019 dhe në një konferencë në orët e vona njoftoi se kishte siguruar garanci ligjërisht të detyrueshme mbi të ashtuquajturin mekanizmi frenues për Irlandën e Veriut, një politikë që synonte shmangien e rikthimit të kontrolleve post Brexit në kufirin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, anëtare të Bashkimit Europian… Por mbështetësit e Brexit dhe aleati i Qeverisë së May, DUP, druheshin se “backstop”, do të mbante të mbërthyer Londrën në orbitën europiane, dhe kërkonin garanci më të forta që kjo nuk do të ndodhte. Dokumenti nuk mjaftoi për të zbutur kahun më euroskeptik të partisë dhe Partinë Unioniste Demokratike dhe ujdia mori kështu refuzimin e dytë në 12 mars. Pak ditë para skadimit të afatit 29 marsit, kur divorci duhej të bëhej realitet, ligjvënësit votuan kundër daljes pa ujdi dhe kërkuan shtyrje të Brexit… “Shtryja e Brexit është burim i një keqardhje të thellë personale për mua e për një gjë jam plotësisht e sigurt, publiku nuk po duron dot më…”.

Në samitin e 21 dhe 22 marsit, Theresa May i kërkoi Brukselit të zgjasë afatin e divorcit me 3 muaj, deri në 30 qershor… kundëroferta e Brukselit rindezi shpresën e May-t për zgjidhje të ngërçit. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, tha që nëse ujdia e divorcit do të aprovohet nga dhoma e komunëve javën e ardhshme, Këshilli Europian dakordësohet për zgjatje të afatit deri në 22 maj. “Nëse marrëveshja nuk aprovohet nga dhoma e komunëve, Këshilli Europian dakordësohet për një shtyrje deri në 20 prill”.

Por ligjvënësit britanikë, nuk u bënë dot në njëmendje as këtë herë për gjetjen e një rrugëdalje nga kriza. Ndërsa koha për miratimin e një ujdie në parlament po skadonte, Britiania u detyrua të pranonte pjesëmarrjen në zgjedhjet e Parlamentit Europian në 23 maj. May “hodhi zaret” edhe një herë në 21 maj kur propozoi një ujdi, sipas saj të rinegociuar, por ajo që mori nga ligjvënësit ishte një tjetër “jo” e fortë. Kryeministres së dytë grua në Mbretërinë e Bashkuar nuk i mbeti zgjidhje tjetër. “Së shpejti do të dorëhiqem nga posti, të cilin e pata për nder ta mbaj”, do të thoshte ajo.

Zgjedhjet europiane të 27 majit treguan dëshpërimin e britanikeve me establishmentin politik, ndërsa e gjithë lavdia shkoi për Partinë e Brexit të Nigel Farage. Ndërkaq BE bëri lëshimin e radhës drejt anëtarit të saj rebel, duke i ofruar një tjetër shtyrje, deri në 31 tetor.

Në skenë futet Boris Johnson

Në 23 korrik, i papërmbajturi Boris Xhonson, hyri me forcën e uraganit në “Downing Street” pasi anëtarët e partisë konservatore i dhanë bindshëm mandatit për ta përkthyer në vepra, premtimin e tij se “me apo pa ujdi” Britania do të dilte nga unioni në 31 tetor. “Misioni ynë është të përmbushim Brexit në 31 tetor, me qëllim bashkimin dhe rivitalizimin e mbretërisë sonë madhështore”, tha ai.

Fitorja e tij e katapultoi Mbretërinë e Bashkuar drejt konfrontimit me Brukselin, dhe një krize kushtetuese në shtëpi. Ligjvënësit u zotuan të rrëzonin çdo qeveri që do të përpiqej të shkëputje nga blloku pa një marrëveshje. “Mekanizmi frenues me Irlandën e Veriut ka vdekur, duhet të hiqet. Ujdia e negociuar nga May ka vdekur. Qëllimi është arritja e një marrëveshje të re”, tha Johnson. Por tonet sfiduese që ngritën vetullat e Brukselit u zbutën gradualisht, kur Johnson e kuptoi se betejën nuk do ta fitonte dot më shpatë në dorë…

Shpejt nisi fushatën intensive për bindjen e vendeve të tjera anëtare të rinegocionin një ujdi tëre, por mesazhi i Brukselit ishte i qartë; marrëveshja e arritur me May, ishte më e mira e mundshme. Me kambanën e 31 tetorit mbi kokën e tij, dhe trysninë e deputetëve për aprovimin e një projektligji që do të pengonte Brexit pa ujdi, Johnson vendosi të pezullonte punimet e Parlamentit. Vendimi u dënua nga ligjvënësit si goditje ndaj institucioneve të pavarura, dhe bëri shënjestër të kritikave ndërkombëtare një prej demokracive më të zhvilluara në botë. Partitë opozitare dhe një numër konservatorësh rebele shfrytëzuan ditët para pezullimit të punimeve për miratimin e një projektligji që pengonte Qeverinë të shkëputej nga BE pa një marrëveshje dhe detyronte Johnson të kërkonte një zgjatje tremujore të afatit të Brexit. “Më mirë të vdisja në një kanal”, do të thoshte Johnson. Por goditja e radhës për të erdhi nga Gjykata e Lartë, e cila e shpalli të paligjshëm vendimin për pezullimin e parlamentit.

Lëmshi i Brexit po ngatërrohej gjithnjë e më shumë, nën sfondin e tejlodhjes së qytetarëve, zhgënjimit të europianëve dhe frikës së bizneseve për pasoja të mundshme. Skenarët katastrofikë të një shkëputje jo të rregullt nga unioni, filluan të përvijoheshin në titujt kryesorë të çdo gazete, e gjithashtu në fytyrat e qytetarëve. Tymi i bardhë u duk se doli në 17 tetor, në prag të samitit dyditor të këshillit të ministrave në Bruksel. “Kemi një ujdi dhe kjo nënkupton se nuk ka nevojë për shtyrje të mëtejshme. Është një marrëveshje e drejtë dhe e balancuar, mbron të drejtat e qytetarëve tanë, paqen dhe stabilitetin e ishullit të Irlandës”, tha Juncker.

Ndryshimi thelbësor i ujdisë së re, ishte zëvendësimi i mekanizmit frenues për Irlandën me disa kontrolle kufitare. Lëvizja e lirë e produkteve dhe mallrave do të ruhej, por produktet të destinuara për në Bashkimin Europian do të taksoheshin në kufirin me Irlandën. Johnson ishte tejet optimist, dhe u kthye me energji të reja në vendin e tij; aty ku e dinte së do të zhvillohej beteja më e ashpër. Në provën e parë, ujdia u rrëzua me shumicë të lehtë. Në të dytën, ligjvënësit e mbështetën në parim, por nuk pranuan implementimin e saj brenda pak ditëve, çka nënkuptonte një tjetër shtyrje të Brexit. Pa dëshirë, Johnson kërkoi me shkrim nga Brukseli zgjatje të afatit; pranoi t’i jepte kohë ligjvënësve dhe Britanisë, por me një kusht. “Mënyra e duhur për të përmbushur Brexit është të tregohemi të arsyeshëm me Parlamentin dhe të themi se nëse duan më shumë kohë për ta studiuar këtë ujdi të jashtëzakonshme mund ta kenë. Por ata duhet të pranojnë mbajtjen e zgjedhjeve në 12 dhjetor, kjo është mënyrë e vetme për të ecur përpara”, tha Kryeministri.

Ajo që britanikët njohin më mirë këto kohë është fuqia e fjalës “jo”. Në atë që u pa një vendim i pazakontë, opozita i kundërshtoi fillimisht zgjedhjet, por bëri një hap prapa kur Brukseli pranoi t’i jepte Londrës edhe 3 muaj të tjerë kohë.

Johnson shpreson se zgjedhjet do t’i japin një mandat më të fortë për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së tij. Basti është i lartë: në lojë është jo vetëm karriera e tij politike por edhe rrjedha që do të marrë përpjekja e mundimshme e Britanisë për të rifituar sovranitetin nga Brukseli. Deri më tani, Brexit ka rezultuar një mur i fortë, ku janë përplasur e rrëzuar të gjithë atë që kanë tentuar të kalojnë. A do të mundet Johnson ta shembë? 12 dhjetori do ta tregojë…

To be continued…