Tërmeti tragjik në Shqipëri, Haradinaj: Kosova ka hapur dyert dhe zemrat – A2

Tërmeti tragjik në Shqipëri, Haradinaj: Kosova ka hapur dyert dhe zemrat

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, me anë të një statusi në “Facebook”, shkruan se Kosova do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie, për çdo ndihmë të kërkuar, për popullin e Shqipërisë.

Pasi Kosova hapi dyert dhe zemrat për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, shkruan Haradinaj, tashmë jemi në fazën e rikthimit të banorëve në Shqipëri.

“Kosova ka hapur dyert dhe zemrat, për t’i strehuar dhe ndihmuar gjithë bashkëkombësit tanë, pas tërmetit me pasoja tragjike që preku Shqipërinë. Tani pas kësaj faze emergjente të përkrahjes dhe akomodimit, ne po hyjmë në një fazë tjetër, të rikthimit të të gjithë banorëve të Shqipërisë në vendlindjen e tyre. Përkitazi me këtë proces, ne kemi vënë në dispozicion transport për rikthimin e të zhvendosurve, por sot kërkojmë që në këtë etapë të rikthimit vullnetarë të përfshihen edhe të gjitha Komunat, ku ka të strehuar, duke vënë në dispozicion mekanizmat e tyre, numër kontakti, Drejtorit e emergjencave dhe transportin. Secili qytetarë, meriton një kthim të dinjitetshëm dhe Institucionet tona e kanë për obligim, ta garantojnë dhe të respektojnë këtë të drejtë. Zyra e Kryeministrit, do të jetë në gjendje gatishmërie për çdo kërkesë eventuale të ndihmës, qoftë për Komunat tona, qoftë për autoritetet shqiptare”.

Më tej, Haradinaj bën të ditur se nesër, të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët në Kazermën e FSK-së në Prizren, do të dërgohen nga Ushtria e Kosovës, në mënyrë institucionale, në depot e rezervave shtetërore të Shqipërisë.