Nga lindja në perëndim, ndihmat e partnerëve ndërkombëtare pas tërmetit – A2

Nga lindja në perëndim, ndihmat e partnerëve ndërkombëtare pas tërmetit

Miqtë e mirë, për ditë të vështirë! Shqipërisë nuk i mungoi mbështetja ndërkombëtare në ditën e saj më të keqe të 26 nëntorit, ku tërmeti i mori jetën 51 personave. Partneri strategjik, SHBA solli në vendin tonë ekspertizën teknike.

Forcat e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara mbërritën në Shqipëri brenda 24 orëve nga rënia e tërmetit, për të mbështetur operacionet e ndihmë-shpëtimit dhe ekipe për vlerësimin e dëmeve. Nga USAID dhe UNICEF u sigurua dhënia e ndihmës humanitare dhe mbështetje për fëmijët në nevojë. Edhe nga Bashkimi Europian u lëvruan fondet e para të emergjencës.

Ndërkohe, që Europa sillte mbështetjen e saj financiare, partnerët nga lindja njoftuan për një tjetër ndihmë domethënëse. Recep Tayyip Erdogan premtoi ndërtimin e 500 banesave për të prekurit nga tërmeti, brenda një harku kohor prej një viti.

Nuk mjafton me kaq, presidenti turk i ka bërë thirrje të gjitha vendeve islame, që të ndihmojnë Shqipërinë në një moment kaq të vështirë.