Një fundjavë në qytetin e gurtë – A2

Një fundjavë në qytetin e gurtë

Udhëtimi i A2 në qytetin e gurtë nis nga maja më e lartë e qytetit, prej andej ku kalaja mund të shihet qartë. Është një ditë e ftohtë, por qyteti nuk duket i heshtur, ashtu sikurse nuk është aspak e heshtur edhe shtëpia e Çerçiz Topullit që është lart, shumë lart nga ajo që njihet sot si Gjirokastra e të gjithëve, ajo e kalldrëmit dhe e Qafës së Pazarit.

Jemi ngjitur në këtë pjesë të qytetit, jo vetëm për pamjen e mrekullueshme, por edhe sepse duam të ndjekim një ekip të kinematografisë botërore, që ka zgjedhur Gjirokastrën si vendin për të xhiruar një film.

Shtëpia e Çerçiz Topullit

Gjirokastra, ky qytet i vogël në jug të Shqipërisë, sit i Trashëgimisë Botërore, në mesin e shekullit XX kishte dy kisha të krishtera, një xhami dhe një kala që nga koha e Perandorisë Osmane. Gjirokastra është edhe vendlindja e Enver Hoxhës, diktatorit shqiptar, i cili e ka zhytur vendin në terror.

Nuk e ka prekur arkitekturën, por njerëzit po. Filmi që po xhirohet këtu zhvendoset në kohën kur shumë gra ruse vendosën te jetojnë në Shqipëri, atëherë kur studentët shqiptarë martoheshin me gra sovjetike, mundësisht me arsim të lartë, sepse, bashkë do të ndërtonin socializmin fitimtar në këtë vend të varfër, në zemër të maleve, në territorin e të cilit ka afro 500 000 bunkerë. Nga biseda me drejtuesit artistikë, me ata që ndjekin xhirimet, marrim vetëm pak informacione.

Filmi hapet me një martesë. Protagonistja e historisë, Katia, u takua me burrin e saj Arjanin në Moskë. Pasi mbaroi Fakultetin e Arteve në Universitetin e Moskës, ajo shkoi me të në Shqipëri për të dhënë mësim rusisht në shkollë të mesme. Arjani është një arkeolog dhe udhëton shumë. Katia gëzon që jeton  në Shqipëri. Ajo zbulon se banorët janë punëtorë, të hapur dhe mikpritës. Statusi i saj si qytetare e vendit më të madh të socializmit frymëzon respekt rreth saj. Për më tepër, ajo admiron shokun Enver Hoxha, me të cilin u takua rastësisht gjatë një udhëtimi në Tiranë me burrin e saj.

Por së shpejti, situata e saj ndryshon rrënjësisht, sepse jeta paqësore në Gjirokastër është kthyer përmbys nga një tërmet politik. Enver Hoxha akuzon  Moskën për “revizionizëm” dhe fillon të bashkëpunojë me Kinën komuniste. Rusët kanë filluar të largohen nga Shqipëria gradualisht, dhe ata që nuk kanë kohë të largohen, pësojnë një persekutim shoqëror. Pastaj fillon një valë shtypjeje. Gratë ruse janë viktimat e para. Dhe historia tragjike e Katias është vetëm një prej atyre që rrëfen filmi që po xhirohet këtu.

Skenari bazohet në fakte reale të rrëfyera nga njerëz që autorët, Kadare dhe Arabov, i takuan në Tiranë. Në skenar përdoren dokumente të arkivave si dhe motive nga vepra të tjera të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, që është edhe autor i idesë origjinale.

Është koha që të zbresim në qytet. Rrugës ndeshim nëpër shtigje, pjerrësira e të tatëpjeta, disa guximtarë të natyrës. Me makinë nuk i ndjekim dot, aq më pak me këmbë. Por, bëhemi pjesë e adrenalinës së tyre falë imazheve që vetë ata regjistrojnë me një kamera.