Reja: Punoj edhe pa pagesë te Shqipëria, dëshiroj të jem këtu edhe 10 vjet

Shqipëria dhe Edy Reja, një histori që do të vazhdojë. Pavarësisht zërave që e shohin pranë Napolit, si zëvendësues të Ancelottit, trajneri 74-vjeçar mbetet në stolin kuqezi. Presidenti Armand Duka organizoi takime me trajnerët e përfaqësueseve të të gjitha niveleve, për të analizuar edicionin që përfundoi, ndërsa vetëm Reja duket se e ka të sigurt vazhdimësinë.

“Është e vërtetë që takimi ka të bëjë me rinovimin, por ne nuk kemi nevojë për letra. Kemi folur më përpara dhe akordi është gjetur prej kohësh. Sot jam së bashku me bashkëpunëtorët e mi për të folur me presidentin dhe për të dëgjuar nëse ai është i kënaqur nga ne apo jo. Duka do të bëjë më të mirën dhe ka një plan konkret, me të cilin jam dakord, pasi kemi biseduar rreth këtij projekti të ardhshëm. Shpresoj të jemi në lartësinë e duhur”, u shpreh Reja.

Presidenti Duka shuan çdo dyshim, me zyrtarizimin e rinovimit që do të vijë në orët në vazhdim.

“Bashkë me të gjithë stafin jemi duke bërë një projekt për të ardhmen. Më pas, do të bëjmë një marrëveshje të përbashkët me të gjithë. Parimisht nuk është se kemi ndonjë pikë që na ndan”, tha Duka.

Paqartësia e vetme lidhet me kohëzgjatjen e kontratës së Edy Reja-s, i cili ka nga e tij nuk i kursen batutat, duke konfirmuar lidhjen që ka me Shqipërinë.

“Unë punoj edhe pa pagesë. Pa u paguar! Është një projekt afatgjatë, mua do të më pëlqente të qëndroja sa më gjatë, por nuk i dihet. Nuk jam më i ri. Nëse jam mirë si tani, vazhdojmë edhe 10 vjet së bashkë. Fillimisht duhet të programojmë dhe më pas të shohim rezultatet dhe si do të luajë skuadra. Ka mjaft punë për t’u bërë. Më intereson projekti dhe stimujt janë të duhurit, ashtu si edhe lidhja me këtë vend, mbi të gjitha në këtë moment vështirësie për Shqipërinë e veçanërisht për Durrësin”, tha trajneri Reja.

Strategjia e së ardhmes është e përcaktuar. Puna vijon nga të rinjtë, për të patur një bazë të mirë, e ku natyrisht duhen arritur edhe rezultate. “Gjithmonë, duhet të vendosen objektiva, kombëtarja duhet t’i ketë. Tani do të nisim vëzhgimet në të gjithë Europën dhe të përqendrohemi edhe te nivelet e të rinjve, për të hedhur bazat që Kombëtarja të ketë gjithmonë lojtarët më të mirë. Në këtë mënyrë arrin rezultate të larta dhe besueshmëri”, tregon Reja.