Shano: Tryeza e Ramës, gjetje mediatike – A2

Shano: Tryeza e Ramës, gjetje mediatike

Dritan Shano, ekspert ekonomie dhe anëtar i Këshillit të Partisë Demokratike, deklaroi në studion e Ditari në A2 se thirrja e kryeministrit Edi Rama ndaj kreut të PD, Lulzim Basha, për t’u ulur në tryezë është gjetje mediatike dhe një mënyrë për të hequr vëmendjen nga fakti se qeveria ishte e papërgatitur për fatkeqësinë që goditi vendin tonë.

“Çështja e tryezës është gjetje mediatike. Nuk u desh tryezë për qeverinë e Kosovës që të nxitonte në ndihmë të Shqipërisë për shembull. Ne duhet të krijojmë standarde dhe protokolle, ekipe zyrtare që grumbullojnë informacion dhe japin instruksione për sigurinë. Kjo është tryeza, këtë punë duhet të bëjë qeveria. Nuk mundet që pas kaq ditësh të kemi një kakofoni vlerësimesh dhe vlerësuesish. Nëse qeveria garanton që ka vetëm një mënyrë për vlerësimin, nuk ka nevojë për tryezë për të dalë para mediave”, deklaroi Shano.

Sipas tij, “vendi gjendet në dorë të njerëzve amatorë”.

“E gjithë kjo që po ndodh bëhet për të shmangur vëmendjen nga fakti që ishim krejtësisht të papërgatitur për këtë situatë, edhe pse tërmeti i parë i shtatorit na kishte paralajmëruar. Qeverisë i takon të thotë se kush është ekipi që vlerëson, njerëzit nuk mund të vazhdojnë të tentojnë ta zgjidhin vetë hallin e tyre”, theksoi Shano.

Në lidhje me buxhetin, eksperti i ekonomisë nënvizoi se “sot nuk kemi hartë të vendeve ku kanë ndodhur dëmet, jo më faturë për këto dëmtime”.

“Çdo ditë dalin familje që thonë se janë prekur në vende që deri dje nuk e dinim që ishin prekur nga tërmeti. Sa i përket mundësive për përballimin e fatkeqësisë, ne nuk jemi të pasur, por mendoj se buxheti i shtetit i ka mundësitë të përballet me këtë lloj fatkeqësie. Propozimi i PD ka qenë që të kthehet timoni i buxhetit nga PPP-të drejt zgjidhjes së hallit të shqiptarëve. Buxheti është i shqiptarëve dhe buxheti 2020 duhet të merret me shqiptarët më në nevojë”, u shpreh Shano.