Shpërthen vullkani në Zelandën e Re, të paktën 5 të vdekur, dhjetëra të zhdukur – A2

Shpërthen vullkani në Zelandën e Re, të paktën 5 të vdekur, dhjetëra të zhdukur

Shpërthimi i një vullkani në Zelandën e Re shkaktoi vdekjen e të paktën 5 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve, ndërkohë që disa persona raportohen ende si të zhdukur.

Qeveria e vendit po bën çmos për gjetjen e tyre me bindjen se fakti që nuk përgjigjen nuk nënkupton që kanë humbur jetën.

Vullkani shpërtheu në orën 2:11 të pasdites me orën lokale dhe tymi e grimcat e çliruara arritën deri në 3600m lartësi.

Vullkani ndodhej në ishullin e quajtur “White Island” (Ishulli i Bardhë), një atraksion turistik i Zelandës së Re, i frekuentuar nga të paktën 10 mijë turistë në vit.

Në momentin e shpërthimit të paktën 50 turistë ndodheshin në afërsi të ishullit, dhe nga ato vetëm 23 kanë shpëtuar për momentin, ndërkohë që për të paktën 10 prej tyre rezultojnë të zhdukur.

Disa nga viktimat dhe të zhdukurit ishin pasagjerët e “Ovation of the Seas”,  një prej kroçerave më të mëdha në botë, që ndodhej aty pranë, dhe White Island ishte njëra prej ekskursioneve të mundshme.

Vullkani në ishull është më aktivi në Zelandën e Re, me një aktivitet që zgjat prej 150 mijë vitesh.