Sot rinisi mësimi në disa shkolla – A2

Sot rinisi mësimi në disa shkolla

Nisi sot mësimi në disa shkolla në bashkitë e prekura nga tërmeti. Në shumë të tjera, mësimi nuk ka nisur për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar godinat.

Ministrja Besa Shahini njoftoi pak ditë më parë se procesi mësimor do të nisë në Tiranë, Durrës, Vorë dhe Kurbin, ndërsa përsa u përket shkollave të tjera, që janë së paku 30 të tilla, janë marrë të gjitha masat e duhura për zhvendosjen e nxënësve në shkolla të tjera deri në një moment të dytë.

Sakaq, rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, me anë të një urdhri të brendshëm njoftoi se procesi mësimor do të fillojë në datë 10 dhjetor.

Procesi mësimor në të gjithë vendin u ndërpre për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, që solli 51 viktima dhe dëme të shumta materiale.