Tirana ndez dritat për festat e fundvitit – A2

Tirana ndez dritat për festat e fundvitit

Edhe pse u shty për disa ditë, për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit, kryeqyteti ndezi dritat shumëngjyrësh për festat e fundvitit si për të dhënë dhe mesazhin se “jeta vazhdon”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës dhe kryeministri Edi Rama ishin të pranishëm në aktivitetin e organizuar në sheshin “Skënderbej”, përpara momentit që zbukuroi Tiranës me drita dhe muzikë festash.

Erion Veliaj e konsideroi këtë vit shumë të vështirë për Tiranën dhe Shqipërinë pasi vendi u godit nga një nga fatkeqësitë më të mëdha. Megjithatë, sipas Veliajt është e rëndësishme që të japim mesazhin që jeta vazhdon.

“Ky ishte një vit i vështirë për Tiranën në  99 vite si kryeqytet, mbushim 100 vjet vitin tjetër, Nuk e mbyllëm kollaj këtë shekull, na rezervoi një nga fatkeqësitë më të mëdha. Ne duhet t’i ndezim dritat të sjellim dritat.  Në çdo qytet duhet të sjellim shpresën. Patjetër që do të respektojmë të gjitha vështirësitë, por duhet t’iu kujtojmë të gjithëve se jeta vazhdon. Ajo që mësuam në vitin e fundit të shekullit të parë të Tiranës kryeqytet është se ne jemi të fortë kur jemi bashkë. Ne rrëzohemi shpesh po kemi vullnetin të ngrihemi shpejt”, tha Veliaj.

Edhe kryeministri Rama uroi të gjithë fëmijët që ishin mbledhur për të parë ndezjen e dritave për festat e fundvitit dhe deklaroi se sot Shqipëria dhe shqiptarët janë më të fortë pas momenteve të vështira me të cilat u përballën.

“Dua t’iu uroj të gjithëve një vit të ri të gëzuar si dritat që do ndizen i siguroj të gjithë çfarë nuk të vret të bën më të fortë. Jemi të gjithë bashkë më të fortë, Shqipëria është më e fortë dhe shqiptarët janë më të fortë”, tha kryeministri Rama.