Fanela në eBay, Ziyech ia kishte dorëzuar babait mashtrues – A2

Fanela në eBay, Ziyech ia kishte dorëzuar babait mashtrues

Hakim Ziyech është një nga yjet që nuk u largua nga Ajax këtë sezon. Marokeni ishte protagonist kryesor në fitoren 0-2 ndaj Lille në Champions, javën e kaluar.

Ai arriti të realizojë golin e parë në këtë sfidë, ndërsa u bë protagonist edhe në fundin e takimit, kur një fans “pushtoi” fushën për ta takuar atë. Ziyech i dha një përqafim të ngrohtë të riut, madje, pasi doli nga fusha i dhuroi, i dhuroi babait të djalit edhe bluzën e tij.

Megjithatë, nuk vonoi shumë dhe fanela që tifozi mori nga marokeni doli në shitje në “eBay” për një shumë prej 1020 euro, ndërsa për të vërtetuar origjinalitetin e bluzës në foto duket edhe një shenjë balte në anën e majtë të saj.

Mediat holandeze bëjnë me dije se i vogli nuk e mori kurrë bluzën e idhullit të tij, pasi ishte larguar nga stadiumi me nënën e tij, ndërkohë që një burrë tjetër ishte prezantuar si babai i djalit dhe kishte përvetësuar fanelën që më pas e nxori në shitje.

Ziyech postoi në Instagram një njoftim ku kërkonte informacion mbi djalin e vogël të cilit i kishte premtuar fanelën, në mënyrë që kësaj radhe t’ia dorëzonte realisht atë.