Supersfida e javës së 15-të të Kategorisë Superiore ka një ditë, të premten, ka orarin, në 19:00, por misteri lidhet me vendin ku do të luhet. Pas inaugurimit me Francën, stadiumi më modern në vend ishte projektuar që të priste edhe duelin Partizani-Tirana.
Një mundësi që edhe përballjet më të rëndësishme të kampionatit të luheshin në impiantin më të ri në vend, shtuar spektaklin në fushë dhe në tribuna, ku padyshim që tifozët e pranishëm do të ishin më të shumtë në numër. Por kur mendohej se Partizani si skuadër pritëse gjeti akordin me federatën, situata ka ndryshuar.
Të kuqtë nuk janë gati të paguajnë rreth 8 mijë euro për shfrytëzimin e stadiumit, edhe pse shifra është cilësuar sa një e treta e kostos për një ndeshje dhe FSHF është shprehur gati që përpos uljes së çmimit, të shtojë diferencën nga buxheti i saj.
Kampionët e Shqipërisë kërkojnë të mos paguajnë qira, edhe sepse kostot do të jenë mjaft të larta duke llogaritur numrin e madh të stafit të sigurisë, në stadiumin me kapacitet 20 mijë vende.
Kjo ka krijuar edhe ngërçin në negociata, duke bërë që derbi të mbetet pa stadium. Natyrisht që “Selman Stërmasi”, aty ku Partizani ka luajtur në vitet e fundit është një alternativë konkrete. Por, ëndrra që derbi të marrë një tjetër dimension, si për skuadrat dhe tifozët, ashtu edhe për imazhin e kampionatit është kompromentuar.
Në pritje të zhvillimeve, Partizani do të mbetet skuadër pritëse në shtëpinë e rivalëve të përjetshëm të Tiranës.