Qendrat Shëndetësore, Rama: Ndërtesa antisizmike, pritet kontrata me turqit – A2

Qendrat Shëndetësore, Rama: Ndërtesa antisizmike, pritet kontrata me turqit

Tërmeti i 26 nëntorit ka prekur edhe godinën e QSUT, por fatmirësisht nuk pati pacientë të lënduar.

Kryeministri Edi Rama ishte të martën për inspektim në Qendrën Spitalore Universitare “Nëne Tereza”, nga ku njoftoi se është në komunikim me një kompani turke që do të ndërtojë disa banesa antisizmike, nga e cila do të kërkojë edhe projekte për qendrat shëndetësore. 

‘Besoj se do të bëjmë një supermarrëveshje për shtëpitë, me standard fantastike, anti-sizmike dhe iu kërkova që të na japin disa oferta për qendrat shëndetësore, me një kosto më të ulët”, u shpreh Edi Rama.

Kreu i qeverisë bisedoi me ministren e Shëndetësisë, Manastirliu për situatën në spitalet e tjera si dhe në qendrat shëndetësore.

Sipas ministres Manastirliu nga tërmeti janë dëmtuar rëndë 4 qendra shëndetësore të vjetra si dhe spitali i Laçit, pacientët e të cilit janë transferuar në atë të Lezhës.