Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 17%
  • Më i zënë në punë 67%
  • Ndihmon në shtëpi 17%

Takim Rama-Basha? Zogaj: Vlerësoj më shumë solidaritetin si kundërshtarë

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2019, 15:11 | Politikë
Takim Rama-Basha? Zogaj: Vlerësoj më shumë solidaritetin si

Në ditët e fundit, pas tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, është vënë re një ndryshim i sjelljes nga aktorët politikë, diçka që për analistin Preç Zogaj është e natyrshme. “Në çdo fatkeqësi është e natyrshme që sjellja e liderëve të përshtatet me të, sepse ajo apelon për solidaritet politik dhe me njerëzit. Kjo sjellje krijon një kontrast me gjithë periudhën më shumë se njëvjeçare të karakterizuar nga gjuha e ashpër politike”, tha Zogaj, i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2.

Por a sheh Zogaj një lloj tendence të palëve për të fshehur fajtorët dhe përgjegjësit, me atë që duhet të përballen në këtë fazë? “Përpjekje të tilla edhe mund të ketë, sigurisht. Por unë kam kërkuar edhe më herët që të fillojë hetimi penal për përgjegjësit e katastrofës. Nuk është shpejt që Prokuroria të fillojë punën, sepse nuk është pjesë e skuadrave të emergjencës, ka vetëm një detyrë, të hetojë. Nuk besoj se ka përpjekje për të fshehur nisjen e hetimit për përgjegjësinë penale të atyre të përfshirë”, tha Zogaj.

Në këtë klimë qetësie, nuk kanë munguar thirrjet e Kryeministrit Rama për t’u ulur në një takim me opozitën, veçanërisht me kryetarin e Partisë Demokratike, Basha. Por Zogaj tha se nuk ka entuziazëm për këto takime.

“Le të bëhen, por vlerësoj më shumë solidaritetin edhe si kundërshtarë, ku Qeveria bën punën e saj, opozita punën e saj, shoqëria civile të sajën. Natyrisht këtu përgjegjësinë e ka Qeveria dhe të gjitha nismat duhet t’i nënshtrohen planit të madh të Qeverisë”, tha ai. “Por në rrafshin politik, fatkeqësia ka sjellë një ndryshim në sjelljes së opozitës. Sjellja e qytetëruar nuk është pajtim me të keqen, përkundrazi i ka brenda të gjitha shigjetat. Këtë po bën edhe opozita”.

Këmbëngulja e Ramës për t’u ulur me Bashën, për Zogajn ka një tingëllim të keq. “Duket sikur kërkohet një takim si një qëllim në vetvete, për të prodhuar një foto ose lajm. Për këtë jam kundër. Ndërkohë që në kontekstin e emergjencës së tërmetit, solidariteti si kundërshtar më duket se është i mjaftueshëm. Basha po bën propozime, Rama i ka konsideruar si propozime që përkojnë edhe me të tijat. Gjërat po funksionojnë më mirë si kundërshtarë, më mirë që gjithsekush të qëndrojë në pozicionin e vet”, tha Zogaj.

“Unë jam partizan i madh i dialogut, por duhet të ketë një arsye dialogu. Duke qëndruar palët si kundërshtarë e plotësojnë edhe atë që pret publiku. Ndërkohë që ulja, duke parë se e para dështoi, do të dojë pak kohë që të pranohet. Nëse do të ketë një dialog që do të paraprihet nga një temë që apo disa çështje, ose të ketë një pritshmëri se ku do të dalë, unë e përshëndes. Por dialog për dialog është si ajo shprehja që i hedh ujë rakisë”.

Duke u ndalur te Reforma në Drejtësi, Zogaj tha se ajo është e vetmja që “marshon”. “Sepse kjo buron nga vetë mënyra se si është ndërtuar ajo, duke mos u varur më as nga ata që e votuan. Institucionet e drejtësisë do të ngrihen dhe do të thonë fjalën e vet. Që tani është thirrur në kauzë, Prokuroi i Përgjithshëm, i cili duhet të thotë fjalën e vet për tërmetin. Pastaj kjo do të vijojë edhe me fillimin e punës nga SPAK, që është ngritur për të sjellë ndëshkueshmërinë në sferat e larta të pushtetit”, tha ai.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani