Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Britania voton, qytetarët mes Brexit dhe Europës

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2019, 14:32 | Bota
Britania voton, qytetarët mes Brexit dhe Europës

Konsiderohen zgjedhjet më të rëndësishme të historisë së viteve të fundit të Mbretërisë së Bashkuar.

Konsiderohen kështu pasi vendosin fatin e Brexit, të ardhmen e vendit dhe për pasojë edhe atë të Bashkimit Europian. 12 dhjetori është dita kur qytetarët zgjedhin parlamentarët e rinj, një fakt ky i jashtëzakonshëm, pasi nuk mbaheshin zgjedhje në këtë muaj që prej vitit 1923, sepse është shumë e vështirë të bësh fushatë në këtë periudhë të vitit në Britani nga moti i ftohtë dhe mungesa e dritës natyrale.

Por, këto janë kohëra të jashtëzakonshme, thelbësore dhe shumë delikate, ndaj dhe ky tabu është thyer.

“Më kritike dhe vendimtare se kaq nuk mund të ishte. U them të gjithëve: rreziku është shumë real dhe mund të shkojmë sërish drejt një parlamenti të bllokuar, që është edhe më i përçarë, që sjell shtyrje dhe paralizë për vendin tonë”, tha Johnson.

Ndërsa Jeremy Corbyn, lider i laburistëve, tha: “Sinqerisht, mund t’i besoni ju një kryeministri që nuk thotë të vërtetën për bisedimet me amerikanët për privatizimin e sistemit të shëndetësisë? Që nuk thotë të vërtetën për negociatat për Brexit, proces të cilin dështoi ta përmbyllte”.

Qytetarët britanikë janë shumë konfuzë dhe kjo mund të ndikojë në mënyrë të rëndësishme rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Kryeministri Johnson thirri këto zgjedhje me shpresën për të marrë një mazhorancë më të plotë për të përfunduar me sukses largimin nga BE me aprovimin e ujdisë së re për Brexit në Parlament.

Ndërsa opozita laburiste kërkon një referendum të ri për Brexit. Sondazhet tregojnë se konservatorët në pushtet janë favoritë në këto zgjedhje të parakohshme, megjithatë nuk përjashtohen dhe surprizat pasi një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë ende të pavendosur. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë