“Jemi në situatë katastrofe pas tërmetit, ka kaos dhe jo seriozitet”

Qeveria po përballet tashmë me situatën post-tërmet. Por nuk është e vetmja. Ekonomia gjithashtu ka përpara sfida të mëdha.

Pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe post goditjeve të tij mund të jenë të dëmshme, por njëkohësisht një mundësi për t’i dhënë një stimul ekonomisë, pasi bëhet fjalë për miliona euro që do të hidhen në qarkullim nëpërmjet ndërtimit të mijëra banesave dhe veprave të tjera publike, si shkolla, ura, spitale etj. Por si po menaxhohet situata pas tërmetit të fuqishëm? Për këtë u diskutua në A2 Business Week.

Për ish-zëvendësministrin e Financave, Sherefedin Shehun, situata është kaotike dhe nuk ka seriozitet. Ai tha se duhet të ishte krijuar një strukturë e posaçme për menaxhimin e situatës.

“Unë e shikoj situatën shumë kaotike. Së pari, nuk shikoj seriozitet në menaxhimin e një katastrofe, pasi përmasat e klasifikojnë atë si katastrofë. Vlerësimi duhet të ishte shumë serioz, institucional. Situata menaxhohet nga një sistem strukturash. Mendoj se puna e parë do të ishte krijimi i një strukture të posaçme. Përmasat e kësaj katastrofe do t’i kalojnë 500 milionë eurove.  Duhet të përgatitemi për menaxhimin e një periudhe 3-vjeçare”, tha Shehu.

Arben Shkodra, sekretar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, tha se në ditët e para pati probleme, por tashmë ka një klimë ndryshe menaxhimi.

“Autoritetet ishin të papërgatitur për përballimin e situatës në ditët e para, pasi katastrofa ishte e një përmase mjaft të madhe. E gjithë struktura ishte e çorganizuar. Tashmë kemi një lloj rikuperimi nga autoritetet për të krijuar një klimë ndryshe. Kuptuam se jemi jashtë orbite për verifikimin e dëme te bizneset. Kemi një problem pasi 120 nipte të biznesit janë të papërfaqësuar”, tha Arben Shkodra.

Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, tha se duhet patjetër një plan për menaxhimin e situatës në vazhdim. “Edhe në shtetet më të zhvilluara, pas një katastrofe të tillë ka një ‘çorganizim të organizuar’. Edhe ne nuk mund të prisnim mrekullinë që gjithçka të funksiononte që në momentet e para. Kryesorja në ditët e para ishte të shpëtoheshin jetë njerëzish. Tani që kaloji vala e para, duhet më shumë transparencë, struktura që të kenë një linjë komande. Të ketë një plan në mënyrë se si do të veprohet në vijim. Është mirë që tashmë dialogu ka nisur”, tha Çoçoli.