Prindërit vijojnë qëndresën tek “Emin Duraku”, kërkojnë sigurinë e shkollës

Tre ditë pas rihapjes së shkollave në Tiranë, të cilat ishin mbyllur nga tërmeti i 26 nëntorit, prindërit e 9-vjeçares “Emin Duraku”, nuk janë të bindur për sigurinë fizike të ndërtesës ku mësojnë fëmijët e tyre. Në këto ambiente, të rrethuar me shirita, nuk lejohet të hyjë askush dhe për pasojë mësimi po zhvillohet me turne në ndërtesën e re.

Por prindërit kanë pikëpyetje edhe për sigurinë e kësaj godine. Deri mesditën e së kësaj të mërkure, peticioni drejtuar ministrisë së arsimit dhe bashkisë, po mblidhte 100 firma. Ata nuk i bind aspak përgjigjja e kryeministrit Rama, i cili tha se një pjesë e shkollës është plotësisht e përdorshme.

Prindërit sqarojnë problematikën me dy akt konstatimet. “Nëse akti i parë përshkruante deri diku dëmet që kishte objekti, akti i dytë thotë që godina ku u vendos të bëhej mësimi nuk kishte probleme”, thonë prindërit.

Përvec shqetësimit për sigurinë fizike të godinës, pasojat e kësaj situate janë më tepër psikologjike, pasi prindërit dhe fëmijët janë të frikësuar.

Të tjerë inxhinierë kishin mbërritur për të kryer një ekspertizë të tretë që do t’i qetësonte prindërit. Por ata thonë që për të shmangur panikun, fëmijët mund të ishin transferuar në një shkollë tjetër.

E deri në zgjidhjen e situatës, duket se prindërit do të vijojnë të protestojnë me anë të peticioneve, derisa të kenë në duar akt ekspertizën për sigurinë e ndërtesës.