ISIS, një histori terrori… Ngritja dhe rënia e “Kalifatit të tmerrit” – A2

ISIS, një histori terrori… Ngritja dhe rënia e “Kalifatit të tmerrit”

Në 11 shtator të vitit 2001, tmerri i luftës, i ngulitur mirë në kujtesën amerikane, u rikthye të përndjekë Shtetet e Bashkuara, këtë herë në formën e një armiku të ri; terrorizmi. Goditja ishte përtej të imagjinueshmes, humbjet kolosale, ndërsa historia ndryshoi përgjithmonë. Me sytë e veshur nga zemërimi, Amerika nuk mendonte gjë tjetër veçse luftës.

Në shënjestër u vu jo vetëm Al Qaeda dhe lideri i saj Osama Bin laden, por edhe regjimi i Saddam Hussein në Irak, i cili krahas ndërtimit të armëve të shkatërrimit në masë, sipas Shteteve të Bashkuara, kishte lidhje të forta me organizata terroriste. Forcat amerikane dhe ato të koalicionit nisën bombardimet e para në Irak në mars të vitit 2003.

“Pikërisht tani, forcat amerikan dhe ato të koalicionit, janë në fazat fillestare të një operacioni ushtarak për çarmatosjen e Irakut, lirimin e banorëve të tij, dhe mbrojtjen e botës nga një rrezik i madh”

George Bush, viti 2003, pas nisjes së sulmeve në Bagdad

Lufta që mbolli farën e terrorit

Por ajo që administrata e Bush e përkufizoi si një luftë të gjerë kundër terrorizmit, rezultoi në fakt si terreni ku do të mbillte farat një prej grupeve më brutale terroriste në historinë e njerëzimit. Në kaosin që pasoi luftën, militantë të financuar nga Osama Bin Laden, u grumbulluan në Irak nën kryesimin e jordanezit Abu Musab Al-Zarqawi me qëllimin e vetëm, luftimin e trupave amerikano-britanike që kishin pushtuar vendin.

“Nëse do të shohim me kujdes historikun e zhvillimit të luftës në Irak, do të shohim se si ISIS filloi të rritej në momentet e vakumit të pushtetit, pra mund të konsiderohet në një farë mënyre si një organizatë që shfrytëzon çrregullsinë. Al Qaeda në Irak apo më pas Shteti Islamik në Irak, siç u emërtua në vitin 2009, filloi të merrte famën pikërisht në momentin kur qeveria irakiane po rriste represionin e saj ndaj popullsisë sunite në Irak”

Redion Qirjazi, ekspert i çështjeve të sigurisë
Redion Qirjazi, ekspert i çështjeve të sigurisë

Al-Zarqawi nisi tërheqjen e luftëtarëve të huaj në vend përmes Sirisë, dhe nuk e pati të vështirë të joshte pjesëtarë të klaneve sunite në Irak, shumë prej të cilëve kishin në zotërim armët e ushtrisë së përmbysur kombëtare. Organizatën ombrellë të Al Qaeda-s në Irak e quajti Këshilli i Muxhahedinëve Shura.

“Krijimi i Këshillit të Muxhahedinëve Shura në Irak, me vullnetin e Allahut do të ndihmojë në krijimin e Shtetit Islamik atje ku sundon bota e Allahut”, do të thoshte Abu Musab Al-Zarqawi, lider i Al Qaeda në Irak.

Një valë e paprecedentë sulmesh terroriste përfshiu Irakun nga qershori i vitit 2004, ndërsa guerilasit vunë në shënjestër, Baquban, Fallujan, Ramadin, Mosulin dhe Bagdadin. Fushata e përgjakur e rebelëve irakiane dhe luftëtarëve të huaj mori qindra jetë njerëzish. Besnikët me uniformë të zezë të jordanezit Al Zarqaëi hoqën dorë nga veprimi i nëndheshëm dhe lufta shpërtheu nëpër rrugë. Stacione të Policisë e godina qeveritare u vunë në shënjestër të brutalitetit që justifikohej në emër të Islamit.

Në skenë futet Al Baghdadi

Al Zarqaëi u vra në një sulm ajror të Shteteve të Bashkuara në 7 qershor të vitit 2006. Abu Bakr Al Baghdadi ishte njohës i mirë i doktrinës fetare kishte Master dhe Doktoraturë në Studime Islamike. Pretendonte se ishte pasardhës i fisit të Profetit Muhamed, Al Quaraysh, një cilësi e domosdoshme kjo për t’u shpallur Kalif. Në adoleshencë njihej me emrin “besimtari” për shkak të kohës së madhe që kalonte në xhami, dhe ndëshkimeve që u rezervonte atyre që sipas tij nuk i bindeshin ligjit Islamik, apo Sharias. Ylli në ngritje i lëvizjes xhihadiste globale do të bëhej shpejt një prej krye terroristëve më brutalë që kishte njohur njerëzimi.

Pas pushtimit të Irakut nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003, Abu Bakr Al Baghdadi u lidh më një grup xhihadistësh që sulmonin trupat amerikane. Në vitin 2004 u arrestua nga forcat amerikane në Falluja, dhe u burgos në te ashtuquajturin Kampi Bucca. Ky i fundit u kthye në një shkollë për liderin e ardhshëm të ISIS. Atje krijoi lidhje edhe me ish-oficerë të radikalizuar të Saddam Hussein me ndihmën e të cilëve do të themelonte më vonë Shtetin Islamik. U lirua nga kampi pas 10 muajsh, pasi u konsiderua si jo i rrezikshëm dhe u lidh më Këshillin e Muxhahedinëve Shura.

“Duhet thënë se shumica e lidershipit të ISIS dhe gjithashtu luftëtarët e nivelit të mesëm erdhën nga kampi Bucca. Dhjetëra mijëra të burgosur mbaheshin atje përgjatë viteve dhe kur u liruan ata nuk kishin se çfarë të bënin tjetër. Kishin krijuar lidhje dhe i kishin bërë detyrat e shtëpisë në burg, pasi nuk u desh shumë kohë para se të shpërthenin. Kështu shumica e lidershipi të ISIS erdhën nga Bucca”

Patrick Skinner, analist

Lindja e ISIS

Pas vdekjes së Al Zarqawi, organizata e ndryshoi emrin në Shteti Islamik i Irakut, dhe në vitin 2010, Al Bagdadi u bë lideri i saj.

Xhihadistët sunitë filluan të zgjeronin ndjeshëm territorin nga qyteti verior i Mosulit, drejt zonës jugore, ku përfshihej rafineria më e madhe e naftës në vend. Goditja për qeverinë irakiane të drejtuar nga shiitët ishte e rëndë. Pas nisjes së krizës në Siri, Al Baghdadi dërgon luftëtarë në zonë, duke ngritur flamurin e zi edhe atje. Baza e tyre ishte qytetit i Raqqa-s. kreu i organizatës i ndoqi në 2013-tën, shkëputimarrëdhëniet me al kaedën dhe e riemëron grupin e tij “Shteti Islamik në Irak dhe Siri, ose me akronimin ISIS.

Avancimi befasues i Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë çoi drejt një eksodi masiv, të cilin OKB e pati të vështirë të menaxhonte. Organizata kishte pushtuar Mosulin dhe Tikritin e ish-diktatorit Saddam Hussein dhe qyteza të tjerë në perëndim të Bagdadit Në verën e vitit 2014, Shteti Islamik në Irak dhe Siri i kishte shtrirë tentakulat në një sipërfaqe sa Britania e Madhe mes Irakut veriperëndimor dhe Sirisë lindore, duke pushtuar qytet pas qyteti.

Në qershor të po atij viti, Shteti Islamik e shpalli Kalifatin në tokat e pushtuara dhe Abu Bakr Al Baghdadit si Kalif. Përmes një deklarate të postuar në rrjetet sociale dhe faqeve islamike, grupi u bëri thirrje fraksioneve rreth botës t’i bashkoheshin luftës së tyre, duke sfiduar haptazi Al Qaeda-n.

“Këshilli i Shtetit Islamik mori këtë vendim pasi ISIS siguroi gjithçka të nevojshme për t’u cilësuar një Kalifat. Çdo mysliman që nuk do t’i bashkohet atij do të jetë mëkatar. Njoftojmë sot krijimin e kalifatit dhe emërimin e kalifit për të gjithë myslimanët. Në i zotohemi për besnikëri Sheikut, mësuesit, liderit luftëtarit, dhe paraardhësit të familjes së Profetit Muhamed, Abu Bakr Al Baghdadi. Ai e ka pranuar pozicionin”

Abu Muhammad Al-Adnani, qershor 2014

Pak ditë më vonë, Al Bagdadi, i cili nuk ishte parë në public për disa vite, përcolli njëmesazh nga Kisha e Madhe e Mosulit, duke konfirmuar veten si Kalifin e shtetit të vetëshpallur.

“Unë jam udhëheqësi që ju prin edhe pse nuk jam më i miri mes jush, prandaj nëse e shihni që kam të drejtë bashkohuni me mua. Nëse e shihni që po veproj gabim më këshilloni dhe më orientoni në rrugën e duhur dhe bindmuni mua për aq kohë sa unë i bindem Zotit. Zoti u dha vëllezërve tanë muxhahedinë fitoren pas disa vitesh xhihad dhe durim, kështu ata shpallën Kalifatin dhe Kalifin”

Abu Bakr Al Baghdadi, qershor 2014

Prerje kokash dhe postime në Twitter

Duke kapitalizuar fuqizimin e tij, Shteti Islamik nisi luftën kibernetike, duke shfrytëzuar kanale të shumta digjitale për angazhimin e mbështetësve dhe përhapjen e ideologjisë dhe propagandës për mijëra simpatizues rreth botës. Grupi po përdorte rrjetet sociale, si Twitter, Facebook dhe YouTube për rekrutimin e anëtarëve të rinj. Këtë e bëri përmes imazheve dhe videove të dhunshme, që ishin xhiruar dhe montuar sipas stilit hollivudian.

Me qëllimin për të impresionuar të rinjtë e duke portretizuar një imazh modern, luftëtarët e ISIS fillojnë të sillen si yjet e rinj te rokut të xhihadit kibernetik. Protagonistët e videove janë kryesisht shtetas të huaj, të rritur në vendet perëndimor e që flasin rrjedhshëm anglisht.

Bota shihte e tmerruar teksa Shteti Islamik publikonte videot e vrasjeve makabre me prerje kokash të gazetarëve ndërkombëtarë dhe punonjësve vullnetarë të rrëmbyer në Siri. Ekzekutimet e pengjeve të huaja ishin vetëm një fraksion i vogël i makabriteteve që po ndërmerrte Shteti Islamik. Dhuna kundër banorëve vendas ishte tejet e përhapur dhe sistematike. Foto dhe video të kryqëzimeve brutale, prerjeve masive të kokave dhe vrasjeve me gurë shfaqeshin në internet në kulmin e pushtetit të grupit. Terroristët shënjestronin gjithashtu grupe minoritare, të tilla si komunitetit jazidi, duke marrë peng mijëra prej tyre, e duke i kthyer gratë në skllave seksi.

Paralelisht vunë në jetë fushatën për fshirjen e kulturës dhe historisë Ekstremistët dokumentuan shkatërrimin e artefakteve, kishave, statujave të paçmuara dhe objekteve të tjera antike në Irak dhe Siri, që sipas tyre ishin simbole idhujtarie. Palmira, qytet antik romak i mbrojtur nga UNESCO, u shndërrua në rrënojë.

Sulmet në Europë

Edhe pse nuk e përsëritën dot “spektaklin” e Al Qaeda-s dhe sulmit ndaj kullave binjake në Nju Jork, Shteti Islamik vulosi brutalitetin e skajshëm me sulmet në Paris në vitin 2015. Në janar të këtij viti, militantët shënjestruan gazetën satirike “Charlie Hebdo” duke vrarë 12 vetë e duke plagosur 11 të tjerë. Por ky do të ishte vetëm fillimi i një vale të përgjakur sulmesh rreth botës, ku më i rëndi ishte ai i 13 nëntorit në Paris, që do ta kthente organizatën terroriste në më të frikshmen në botë.

Dhuna tregoi aftësinë e grupit terrorist për të arritur shënjestrat perëndimore. Disa prej sulmeve u drejtuan nga ISIS, të tjera u frymëzuan nga ideologjia e tij. Në një seri sulmesh të koordinuara  mbollën terror në kryeqytetin e botës; fillimisht 3 atentatorë vetëvrasës shpërthyen jashtë stadiumit “Stade de France” gjatë një ndeshjeje futbolli, sulme me armë zjarri pasuan në kafene e restorante, për t’u kurorëzuar me masakrën në teatrin “Bataclan”, ku mbetën të vrarë 90 vetë. Bilanci i ditës më të përgjakur në Francë që prej Luftës së Dytë Botërore, ishte 130 të vdekur, ndërsa 413 të tjerë u plagosën.  Shumica e agresorëve ishin me shtetësi franceze ose belge e disa prej tyre kishin luftuar në Siri.

Disa muaj më vonë, sulmet në aeroporte dhe sisteme të metrosë në Bruksel ku u vranë dhjetëra vetë, ju atribuan gjithashtu grupit. Ndërsa të tjerat që shënjestruan tregun e Krishtlindjeve në Berlin, festimet e ditës së Bastijës në Nicë, koncertin e Ariana Grande-s në Mançester, aeroportin e Stambollit apo një klub nate të Orlandos, u frymëzuan nga grupi terrorist edhe pse ai kishte filluar të humbiste territor.

Koalicioni anti-ISIS dhe ndërhyrja ruse

Terrorizmi u bë një normaliteti i ri, dhe qytetarët u mësuan të jetonin me frikë dhe pasiguri. Bota i shpalli luftë organizatës terroriste në gjysmën e dytë të vitit 2014. Ne qershor të këtij viti, sipas informacioneve amerikane dhe britanike, Irani dërgoi dronë në Irak, e pozicionoi trupa në terren. Në mënyrë simultane, Shtetet e Bashkuara dërguan atje një numër të vogël trupash. 2 muaj më vonë, në gusht të vitit 2014s, një koalicion i drejtuar nga Uashingtoni, nisi sulmet ajrore ndaj poziconeve të Isis në Irak, dhe e zgjeroi fushatën drejt Sirisë në shtator.

“Njoftoj se Amerika do të kryesojq njq koalicion të gjerë për të luftuar kërcënimin terrorist. Qëllimi ynë është i qartë; ne do të degradojmë dhe në fund shkatërrojmë Shtetin Islamik”

Barak Obama, President i Shteteve të Bashkuara

14 shtete ju bashkuan koalicionit, dhe 1 vit më vonë, edhe forcat ruse, me lejen e qeverisë siriane, nisën ofensivën kundër ISIS, frontit Al Nusra dhe Ushtrisë së Lirë Siriane. Përgjatë 1 viti, Shtetet e Bashkuara kishin ndërmarrë më shumë se 8 mijë sulme ajrore në Irak dhe Siri. ISIS pësoi humbje të rënda përgjatë kufirit sirian me Turqinë dhe në fund të vitit 2015-tës, forcat irakiane shënuan progres duke rimarrë në kontroll Ramadin.

Nga viti 2016, Shteti Islamik filloi ta humbte territorin po aq shpejt sa e kishte fituar atë, dhe deri në dhjetor të vitit 2017, Kalifatit iu fshi nga harta 95% e zonës që kontrollonte dikur, përfshirë bastionet kryesore, Mosuli në Irak dhe Raka në Siri. Kryeministri irakian, Haider al Abadi, shpalli fitoren ndaj shtetit Islamik në Irak në 9 dhjetor të vitit 2017, edhe pse organizata vazhdonte të frymëzonte sulmet përreth botës.

Në vitin 2018-, fokusi i fushatës kundër Shtetit Islamik u zhvendos drejt Sirisë lindore ku koalicioni i mbështetur nga kurdët sirianë dhe arabët, e njohur si Forcat Demokratike Siriane, nisën të pushtonin gradualisht pozicionet kyçe të ISIS. Ofensiva u pezullua përkohësisht në nëntor të vitit 2018, pasi sulmet e ushtrisë turke kundër pozicioneve kurde e zhvendosën vëmendjen. Në dhjetor, Forcat Demokratike Siriane pushtuan qytetin e Haxhin, çka e reduktoi territorin e kontrolluar nga ISIS në vetëm pak fshatra përgjatë lumit Eufrat pranë kufirit me Irakun.

“Ju kanë thënë se kemi çliruar 90% të territorit të Kalifatit në Siri. Tani është 100% i çliruar nga Shteti Islamik”

Presidenti amerikan, Donald Trump

Vdekja e “Kalifit”

Por ndërsa shpalli mundjen e ISIS, Trump sinjalizoi tërheqjen e rreth 2 mijë trupave amerikane që mbështesnin luftetarët kurdë në Siri. Ata e vazhduan luftën dhe në shkurt të vitit 2019 nisën ofensivën e tyre finale në Baghouz, i fundit bastion i terrorit. Qyteza ra në 23 mars 2019, duke i dhënë zyrtarisht fund pretendimeve të Kalifatit për territor.

“Shtetet e Bashkuara vunë drejtësinë në vend lidhur me terroristin numër 1 në botë. Abu Bakr Al Baghdadi ka vdekur. Ai ishte lideri dhe themeluesi i ISIS, organizata më e pamëshirshme dhe e dhunshme në botë. Shtetet e Bashkuara ishin vënë në kërkim të Al Baghdadit për vite me radhë. Kapja apo vrasja e tij ka qenë prioritet i Sigurisë Kombëtare të administratës sime”

Presidenti amerikan Donald Trump, 27 tetor 2019

Epoka e Shtetit Islamik të Al Baghdadi-t mbaroi zyrtarisht në 26 tetor të vitit 2019-të, kur lideri i organizatës u vra në një sulm ajror amerikan në veri të Sirisë. Një ekip i forcave speciale amerikane, rrethoi Al Baghdadi-n në një tunel në provincën Idlib në veriperëndim të Sirisë, ku ai aktivizoi një jelek me eksplozivë, duke vrarë veten dhe 2 fëmijët e ti.

Bashkë me Al Baghdadi-n u shua ëndrra e xhihadistëvë për Kalifat e megjithatë humbja është kryesisht simbolike. Analistët besojnë se goditja ishte e fortë por jo fatale, dhe se grupi jo vetëm do të mund të mbijetojë por edhe të ringrihet.

Tërheqja e trupave amerikane nga Siria veriore, dhe ofensiva turke ndaj kurdëve që mbikqyrin kampet me të burgosurit e ISIS, po i japin dorë ekstremistëve të rifitojnë shkëlqimin e humbur e të ringrihen edhe më të fortë…qindra besohet të jenë arratisur, ndër sanë kampet ku qëndrojnë familjarët e tyre, terrori thuhet të ketë marrë frerët e nëndheshme. Nga aty mendohet se mund të mbillen farat e brezit të ri të ekstremistëve që zotohen për hakmarrje.

Al Baghdadi vdiq, por terrorizmi duket se do ta ketë jetën e gjatë…