Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 100%
  • Zonat malore 0%
  • Qendrat historike 0%

9 vjet pa viza, dy qeveritë shqiptare dhe pretendimet e Macron

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2019, 09:31 | Politikë
9 vjet pa viza, dy qeveritë shqiptare dhe pretendimet e Macron

Nëntë vjet më parë ndodhi ajo që do të bëhej krenaria e katërt e demokratëve në planin e integrimit euroatlantik të vendit, pas anëtarësimit në Këshillin e Europës dhe në NATO, si dhe firmosjes së stabilizim-asociimit me BE.

15 dhjetorin e 2010-ës, shqiptarët shënuan ditën e parë të lëvizjes pa viza në hapësirën europiane Shengen. Përmbushja e kushteve të udhërrëfyesit për vizat, hartuar nga Franko Fratini, komisioneri për Drejtësinë dhe Sigurinë, u finalizua me dritën jeshile të Parlamentit dhe Këshillit Europian. “Arritje jete për çdo qytetar shqiptar”, shprehej në atë kohë Berisha.

Asokohe, ministër i Brendshëm në qeverinë “Berisha” ishte Lulzim Basha dhe pas asaj dite krenohej me respektimin e zotimeve ndaj BE-së.

“Shifra e azil-kërkuesve shqiptarë në zonën Shengen është zero. Ta shikojnë këtë jo vetëm qytetarët shqiptarë, por edhe shqiptarofobët”, shprehej Basha.

Nga viti 2014, numri i azil-kërkuesve shqiptarë në vendet e BE u rrit ndjeshëm. Shifrat e periudhës janar-shtator të 2019-ës flasin për 15 630 aplikantë për herë të parë, një argument për presidentin Emmanuel Macron për të folur për paaftësinë e tij për të bindur francezet se pse Shqipëria do ta meritonte tetorin që shkoi hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, kur nuk po mban as premtimin që solli lëvizjen e lirë.

Kryeministri Rama nuk e ka pranuar publikisht si një zhvillim alarmant edhe pse për një kohë të gjatë Shqipëria kalonte edhe Sirinë për numrin e lartë të azil-kërkuesve. Ai e vesh me dëshirën e përhershme të shqiptarëve për një jetesë më të mirë.

“Për çfarë po diskutojmë, për politik? Shqiptarët po lëvizin, ikin dhe vijnë”, thoshte Rama. Sot, Lulzim Basha, 9 vjet nga 15 dhjetori i 2010-ës, ka një tjetër zotim Basha... “Do të bëjë gjithçka për ta mbrojtur këtë arritje dhe për të plotësuar shpresat dhe dëshirat e gjithsecilit prej jush, për Shqipërinë anëtare të BE-së”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë