Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Pasojat e tërmetit, jepet masa e sigurisë për 9 të arrestuarit në Durrës

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2019, 16:13 | Kronikë
Pasojat e tërmetit, jepet masa e sigurisë për 9 të

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 9 të arrestuarit të akuzuar për vepra penale të shpërdorimit të detyrës falsifikim dokumentesh e deri tek vrasja me dashje në rrethana cilësuese, akuza këto të ngritura për shkak të pasojave që la pas në njerëz dhe dëme materiale tërmeti i 26 nëntorit në rrethin e Durrësit.

Nga 9 të arrestuarit, në gjykatë u paraqitën 7, pasi dy të tjerë po marrin mjekim në spitale për shkak të gjendjes shëndetësore.

Prokuroria kërkoi që ndaj 9 të arrestuarve të vendosej masa “arrest me burg”, pasi ka dyshime që me veprimet dhe mosveprimet e tyre janë shkaktarë të pasojave të rënda në humbje jetësh njerëzore, pas tërmetit të 26 nëntorit.

Zyrtarë që nuk kanë verifikuar dokumentacionin teknik të godinave, ndërtues që kanë abuzuar me ndërtime jocilësore si dhe projektues dhe inxhinierë që kanë falsifikuar dhe zbatuar në mënyrë jo korrekte projekte ndërtimi, janë disa nga arsyet që prokuroria ka vënë nën akuzë 9 të arrestuarit.

Gjatë fazës së mbrojtjes, asnjë nga të arrestuarit nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga prokuroria, por në fund Gjykata e Durrësit ka vendosur që t’i lërë të gjithë nën masën e sigurisë “arrest me burg” deri në përfundimin e hetimeve.

Ndërkohë, për të njëjtën dosje janë shpallur në kërkim edhe 8 persona të tjerë të cilët gjithashtu dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre janë shkaktarë të pasojave të ardhura nga tërmeti i 26 nëntorit.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani