Rezultatet e “PISA”, specialistët: Arsimi po degradon, duhen reforma të thella

Nota 5 që mori Shqipëria në testimin e PISA është realiteti ku ndodhet arsimi në vendin tonë.  Ky është qëndrimi i specialistëve të cilët thonë se problemet në shkolla sot janë komplekse, nga programet e teksteve e deri tek formimi i mësuesve.

ish-drejtuesi i monitorimit të teksteve në Ministrinë e Arsimit, Agim Duka

“Tekstet e gjimnazit të klasave të 10 dhe 11 janë pothuajse përsëritje. Kur këto nxënës të shkojnë në universitet do të kenë vështirësi për ta kapur programet e universitetit, sepse universiteti bazohet tek programet e mëparshme të shkollave”, thotë ish-drejtuesi i monitorimit të teksteve në Ministrinë e Arsimit, Agim Duka.  Duka thotë se arsimi duhet t’i nënshtrohet një reforme të thellë në funksion të cilësisë.

“Duhet të ndryshoje gjithçka, nga përzgjedhja e mësuesve me një portal. Nuk kemi reformë të teksteve, i kemi vënë kryqin”, vijon Duka.  

Ndërsa prindërit i kërkojnë ministrisë t’i japë fund eksperimenteve me librat shkollore. “Duhet të kemi një tekst të vetëm për të gjithë”, thonë ata.

Ndryshe nga tre vjet me pare, ku ministria e Arsimit vlerësoi arritjet e nxënësve dhe vendin e 51 që zuri Shqipëria në testimin e PISA, sot kur Shqipëria ka rënë me 10 vende,  ky dikaster refuzon të reagojë.

Madje, përmes një qëndrimi zyrtar, ministria e Arsimit njofton se puna e saj është  fokusuar tek situata pas tërmetit. Ndërsa për rezultatet e dobëta të testimit ministria thotë se do të reagojë në një moment të dytë, ndoshta në fillim të vitit 2020.

Në provimin PISA 2018, nxënësit shqiptarë arritën nivelin e dytë nga pesë që kishte testimi dhe rezultatet më të dobëta ishin në fushën e leximit.