Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

“3 elementë për të kuptuar se paketa ‘anti-shpifje’ është në dëm të Shqipërisë”

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2019, 13:44 | Politikë
“3 elementë për të kuptuar se paketa

I ftuar në A2, analisti Afrim Krasniqi foli për paketën anti-shpifje, e cila sipas tij, është në dëm të Shqipërisë. Ai e konkretizoi këtë me 3 elementë konkretë.

“Nisma e qeverisë për ligjin e ri për mediat është jashtë kohe, jo funksional dhe kosto për Shqipërinë. Shqipëria do të marrë drejtimin e OSBE-së dhe një nga motivet kryesore të këtij drejtimi është mbrojtja e lirisë së shtypit në vende ku cenohet dukshëm liria e shtypit, siç është Turqia dhe vendet të tjera. Ndërkohë që t’i do të shkosh të promovosh këtë gjë, Shqipëria do të bëhet objekt i kritikave të ndërkombëtarëve për lirinë e shtypit.

Së dyti, Parlamenti Europian dhe ai gjerman i kanë vendosur kushte Shqipërisë. Ne presim të zgjidhim këto kushte dhe jo të krijohet një kusht i ri.

Së treti, të gjithë flasim për reformën në drejtësi dhe të gjithë themi se nuk besojmë te politika. Kjo nismë është kundër sistemit të ri të drejtësisë, pasi ja kalon një kompetencë që është tipike për gjykatat, ja kalon një strukture të emëruar nga kryeministri dhe funksionarë të tjerë politikë. Mjaftojnë këto tre elementë për të kuptuar që i gjithë ky proces është pa sens dhe në dëm të Shqipërisë”, tha Krasniqi.

Por kush mund të përfitojë nga kjo paketë?

“Përfituesit janë tre apo katër pronarët kryesorë të asaj që quhet në botën mediatike, të cilët janë pjesë e oligarkisë në Shqipëri. Kryeministri është shumë i shqetësuar dhe deklarata e tij e sotme në Parlament është pa etikë. Kryeministri nuk mund të thotë që një gazetar ka vrarë një person edhe nëse ai lajm mund të ketë bërë një dëm. Nëse do të flasim me këtë gjuhë, atëherë ato jetë të humbura janë të gjitha faje të qeverisë. Kështu duhet të nxjerrim një ligj që t’i mbyllim gojën qeverisë për premtime që si mban”, tha analisti.

Zgjatja e gjendjes së emergjencës pas tërmetit

“Është rasti për të kujtuar se sa gabim ka bërë opozita kur është larguar nga Parlamenti. Për sa koha është larguar nga institucionet që duhet të ishte sot edhe zëri i saj, deri diku duhet të kërkojë falje publike që e ka lënë shoqërinë pa përfaqësim. Në protestën e sotme nuk duhet të kishte individë nga politika, pasi politika në tërësi është mundur të kontrollojë median dhe e ka kontrolluar”.

“Më shumë se dy javë nga tërmeti, ende pa bilanc, unike”

“Ne kemi kaluar më shumë se dy javë nga ngjarja dhe është rast unik se qeveria ende nuk ka një bilanc të dëmeve. Kulmi ishte dje, kur na u shfaq që është dëmtuar edhe vet ndërtesa e Kryeministrit. Nëse do të jesh transparent, duhet ta fillosh atë nga vetja për të kuptuar kush e menaxhon këtë situatë, kush janë individët përgjegjës, pse po prishen godinat dhe çfarë projektesh fshihen pas tyre”.

Arrestimet pas tërmetit

“Nëse ne marrim të gjitha tragjeditë që kanë ndodhur në të gjitha shtetet e botës, shohim që gjithmonë ka dorëheqje ministrash, kryetarësh bashkish dhe zyrtarë të lartë, ndërsa ne kemi shkuar te inxhinieri, te pronarët e ndërtesave. Ne duhet të mendojmë të shkojmë deri në kokën e procesit. Nuk është çështja të dënojmë dike për të pasur disa numra. Të parandalojmë situata të tjera”.

“Shqipëria ka nevojë për një tërmet politik”

“Nëse ka nevojë për një tërmet real, ka nevojë për një tërmet në elitën politike. Nëse kjo nuk ndryshon, të gjitha këto skena do të përsëriten njëherë në 4 vjet”.

“Vitin e ardhshëm do të duhet të ketë ndryshime të mëdha”

“Do të duhet të ketë ndryshime të mëdha në Kodin Zgjedhor, ndërsa kalohet kjo duhet të jetë kalimi i një testi kombëtar për zgjedhje. Çështja është edhe nëse do ti bëjmë zgjedhjet nesër, a do të kemi opsione me të mira? Fatkeqësisht, partitë tona nuk janë parti demokratike dhe nuk funksionojnë si familje demokratike dhe për sa kohë nuk funksionojnë si të tilla, shpresa për të ndryshuar përmes këtyre aktorëve politikë është shumë e vogël. Ndërkohë, sistemi ynë politik është refuzues ndaj çdo prurje të re politike. Në këtë situatë, e para duhet të kemi një reagim qytetar. Kemi pasur këto dy vite dy lloj fenomenesh që kanë ndodhur për herë të parë në Shqipëri. Studentët kanë refuzuar të dialogonin me qeverinë pasi nuk besonin tek ajo. Kemi median që proteston ndaj të gjitha palëve politike. Këto janë risi në Shqipëri. Nga ana tjetër, kemi një vëmendje më të mëdha ndërkombëtare”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë