Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Fjala e lirë, apeli amerikan: Mos u ktheni kurrë në diktaturë

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2019, 15:24 | Aktualitet
Fjala e lirë, apeli amerikan: Mos u ktheni kurrë në

Ambasada Amerikane duket se mori disa ditë para se të shprehej në lidhje me debatin e krijuar nga paketa anti-shpifje, por qëndrimin e saj e bëri të qartë në takimin e organizuar nga Avokati i Popullit në kuadër të mbrojtjes së fjalës së lirë.

Ndonëse pa përmendur direkt nismën që mazhoranca kaloi në Kuvend, i ngarkuari me punë i Ambasadës, Daniel Koski, i kishte mjaft të qarta mesazhet, kur theksoi se kundërshtimi më i mirë ndaj gjuhës së ulët dhe të urrejtjes, është arsyetimi racional.

“Nëse gjuha e urrejtjes është helm - dhe është e tillë - arsyetimi është kundërhelmi. Ndërsa diskutoni se ku duhet hequr viza midis fjalës së mbrojtur dhe të pambrojtur, ju lutem të kujtoni se përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes është kundër arsyetimi racional, është të shprehurit më shumë, jo më pak – zgjidhja ndaj urrejtjes janë më shumë lapsa, jo goma”, tha Koski.

Fjala e lirë është fryma e demokracisë, nënvizoi diplomati amerikan, duke shtuar se fryma e mospajtimit ka fuqinë për të tronditur një shtet policor. Kjo është arsyeja pse diktatorët kërkojnë të shtypin zërat kritikë, tha Koski, duke marrë si shembull vetë historinë e tonë.

“Shqipëria u zgjua nga makthi komunist i kontrollit të fjalës jo më larg se 30 vitet e fundit. Shumë prej jush e dinë shumë mirë se si është të jetosh me frikën e pasojave të paparashikuara të fjalëve të tua. Shumë prej jush u rritën në një shoqëri në të cilën një fjalë e thënë rastësisht mund të të çonte në burg, punë të detyruar dhe tortura. Ju nuk duhet të ktheheni më kurrë në atë shoqëri”.

Edhe fjala e lirë ka limitet e veta, pranoi i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane, por kufiri i tolerancës është çfarë dallon shoqëritë demokratike.

Liria e fjalës nuk është licencë për të thënë çfarë të duam, pavarësisht nga pasojat. Edhe ne në Shtetet e Bashkuara vendosim kufij mbi të ashtuquajturat fjalë luftuese dhe forma të tjera të shprehjes që çojnë drejtpërdrejt në dhunë. Por, kufijtë përcaktojnë shoqëritë duke treguar çfarë ato tolerojnë dhe çfarë ato kanë frikë. Ne amerikanët mbrojmë fjalën kritike, të çuditshme dhe fyese sepse toleranca është shenjë e forcës sonë. Duke lejuar fjalën fyese, përveç rasteve ekstreme, ne ngulim këmbë që shoqëria jonë të mos jetojë në frikën e fjalëve.

Çfarë ai kërkoi në emër të SHBA, ishte që kufiri i fjalës së lirë të vendoset në mënyrë të gjerë dhe pa frikë.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani