Gjebrea: Shumica e shteteve të BE janë më të ashpër ndaj shpifjes, AMA nuk zëvendëson gjykatën

Shumica socialiste ka reflektuar dhe deri në momentin e fundit janë pasqyruar të gjitha këto reflektime në ligjet e pagëzuar si “paketa anti-shpifje”. “Ligji është konsultuar me shumë shoqata të gazetarëve, përfaqësues të shoqërisë civile, përfaqësues të OSBE dhe Komisionin Europian. Ky nuk është një ligj që është bërë pa u konsultuar. Sigurisht që është delikat, por ky ligj është parë me shumë kujdes”, tha Elona Gjebrea, deputete e PS, e ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2.

Sa i përket shqetësimeve të ngritura nga disa institucione europiane, Gjebrea tha: “Në fakt, ka qasje të ndryshme, por shumica e shteteve janë shumë më të ashpër ndaj shpifjes, krahasuar me atë që propozon ky ligj. Sigurisht kanë qenë kurioz për të marrë më shumë informacion, por asnjëherë nuk është vënë në dyshim kryesimi i OSBE. Sigurisht që ky ligj është në vëmendjen e shumë aktorëve, por ne duhet të jemi transparencë për të informuar publikun”.

Gjebrea tha gjithashtu se në opinion ka pasur një keqkuptim dhe një frikë për këto dy ligje, por nëse lexohet me kujdes ligji, do të kuptohet se nuk ka gjë për t’u frikësuar, ndërsa komentoi edhe rolin e AMA-s. “Këtu bëhet fjalë për mediat elektronike, jo rrjetet sociale, siç keqkuptohet. Në vitin 2013, ka qenë PD që ka kërkuar një strukturë si AMA bipartizane, pra kemi pasur një dakordësi bashkë me opozitën për të pasur një strukturë të tillë. AMA nuk zëvendëson gjykatën, është gjykata që jep verdiktin final”, tha Gjebrea.