Rriten me 7,3% investimet e huaja, arrijnë në 810 mln euro

SINK ZANA GUXHOLLI frame 1201 1100x620

Ky vit shënon edhe fundin e ndikimit në ekonomi të dy projekteve madhore: gazsjellësit Trans Adriatic Papiline dhe hidrocentralit të Devollit, që deri më tani kanë mbajtur peshën kryesore në fluksin e investimeve të huaja. Të dhënat zyrtare tregojnë se për 9 muajt e parë të këtij viti, niveli i investimeve të huaja arriti në 810 milionë euro, një shifër e kënaqshme për qeverinë.

Ministrja e Financave, Anila Denaj deklaron se investitorët e huaj kanë kthyer sytë nga Shqipëria, por sfida e vërtetë do të jetë zëvendësimi i TAP dhe Devollit me projekte të reja dhe për këtë nuk ka më kohë, pasi duhen konkretizuar duke filluar nga viti i ardhshëm.

Pavarësisht potencialeve që ofron, Shqipëria nuk është një vend tërheqës për investitorët e huaj. Zana Guxholli, eksperte për ekonominë deklaroi se klima e biznesit në vend është e pafavorshme për sipërmarrësit e huaj. “Po t’ju referohemi të gjithë treguesve realë ekonomik, gjithë raporteve ndërkombëtare, të gjithë na sjellin në fund të listës dhe tregojnë përkeqësim në këtë rrugë”, tha Guxholli.

Nga studio e A2 Business, ajo propozoi një strategji të qartë si dhe një sistem ligjor të qëndrueshëm për të thithur kompanitë ndërkombëtare.

“Që një investitor i huaj të investojë, duhet së pari të ketë garanci politike, së dyti të ketë sistem ligjor të qëndrueshëm. Ne duhet të përmirësojmë strategjinë tonë, të japim nxitje ekonomike që nuk prekin shumë buxhetin, por që nxisin investitorët. Kemi dalje të parave të investitorëve tanë që kërkojnë tregje jashtë”.