Zëdhënësi i Metës: Komisioni parlamentar mori në mbrojtje Dvoranin

presidenca 1100x620

Pasi Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit thirri kreun e KED, Ardian Dvorani, të dëshmojë për Metën, ka reaguar edhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

Me anë të një statusi në “Facebook”, Blushi shkruan se Komisioni parlamentar, me këtë veprim, ka marrë në mbrojtje nga përgjegjësitë penale Dvoranin.

“Veprimet e fundit të komisionit parlamentar janë qartazi marrje në mbrojtje nga përgjegjësitë penale të z.Dvorani, i cili është kallëzuar në Prokurori për veprimtarinë e tij të mirëdokumentuar kriminale.

Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim.

Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës.

Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës.

Sa i përket shtyrjes së afatit të komisionit parlamentar, ne e kemi dhënë mendimin tonë: Punimet të shtyhen deri në 24 korrik 2022. Në këtë mënyrë deputetët e komisionit do kenë mundësi të përfitojnë akoma më shumë shpërblime financiare për çdo mbledhje”, mbyllet postimi i Tedi Blushit.