Ditari Ndërkombëtar | Irani bërthamor, si dështoi marrëveshja historike?

Përditësuar më: 21/12/2019, ora 16:34

Ditari Ndërkombëtar | Irani bërthamor, si dështoi marrëveshja historike?

Përditësuar më: 21/12/2019, ora 16:34

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë qenë kundërshtarë që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. Gjatë 40 viteve të fundit uljet dhe ngritjet në marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të shumta, por gjërat filluan të përkeqësohen ndjeshëm që prej ardhjes së Donald Trump në pushtet. Ai i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e arritur me shumë mund nga paraardhësi i tij, Barack Obama. Marrëveshja synonte reduktimin e aktiviteteve nukleare të Republikës Islamike, duke i ofruar Iranit lehtësim të sanksioneve ekonomike.

Sot, në “Ditarin Ndërkombëtar”, do të hedhim një vështrim tek zhvillimet që përmbysën drastikisht progresin në frenimin e një prej fuqive më të mëdha bërthamore në botë, duke e bërë mundësinë e një lufte me Iranin gjithmonë e më reale…

“Sapo fola në telefon me presidentin Hasan Rouhani të Republikës Islamike të Iranit. Diskutuam mbi përpjekjet tona të vazhdueshme për arritjen e një ujdia për programin bërthamor të Iranit. I përsërita presidentit Rouhani, atë që i thashë edhe në Nju Jork. Edhe pse do të ketë pengesa të konsiderueshme, dhe suksesi nuk është i garantuar, besoj se do të mund të arrijmë një zgjidhje të pranueshme”

Barack Obama, President i SHBA

Njoftimi i atëhershëm i Obama-s, premtoi erë ndryshimesh në raportet mes kundërshtarëve historikë dhe u konsiderua si gur themeli i një epoke të re, të një Irani pa armë bërthamore. Telefonata historike mes dy presidentëve u mirëprit edhe në Iranin skeptik ndaj Uashingtonit, ku udhëheqësi Hasan Ruhani u prit me ovacione pas kthimit nga Nju Jorku në 28 shtator të vitit 2013. “Biseda telefonike që zhvilluam u përqendrua kryesisht te çështjet bërthamore. Ai pranoi të drejtën e popullit iranian për të pasur energji bërthamore”, do të thoshte Rouhani.

Irani këmbëngulte se programi i tij ishte plotësisht paqësor, por komuniteti ndërkombëtar ishte skeptik. Telefonata u pasua nga takime të ethshme të ekipeve negociatore nga të dyja vendet. Për muaj me radhë e gjithë vëmendja e botës u përqendrua pas dyerve të bisedimeve ku u përfshinë pesë pjesëtarët e përhershëm të këshillit të sigurimit të kombeve të bashkuara; Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, plus Gjermania. Tymi i bardhë doli në 14 korrik të vitit 2015, nga Vjena, kur shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, njoftoi se Irani dhe 6 fuqitë me të mëdha botërore kishin arritur një marrëveshje për të reduktuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

“Sot është një ditë historike. Është një nder i madh për ne të njoftojmë se kemi arritur një marrëveshje mbi çështjen bërthamore të Iranit. Me guxim, vullnet politik dhe lidership ne i dhamë botës atë që kërkonte. Përkushtimin e përbashkët ndaj paqes dhe për të bashkuar duart në mënyrë qe ta bëjmë botën më të sigurt”

Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e Politikës së Jashtme të BE

Sipas ujdisë, Irani pranoi të kufizonte pasurimin e uraniumit deri në 3,67% dhe reduktimin me gati 2/3-tat të numrit të centrifugave të tij për 13 vite. Uraniumi i pasuruar në përqendrim të ulët; nga 3-4%, mund të përdoret për furnizimin e impianteve të energjisë bërthamore, ndërsa i pasuruar në nivelin e 90% ai mund të shërbejë për armët nukleare. Rezervat e uraniumit duhej të reduktoheshin deri në 98% apo 300 kg, një shifër kjo që nuk duhet të tejkalohet deri në vitin 2031. Aktivitetet do të limitoheshin gjithashtu në një kompleks të vetëm. Për monitorimin dhe verifikimin e përmbushjes së angazhimeve nga Irani, Agjencia Ndërkombëtare për energjinë bërthamore do të kishte qasje të rregullt te komplekset bërthamore iraniane. Në këmbim të këtyre lëshimeve, fuqitë e huaja do të lehtësonin sanksionet ndaj Republikës Islamike, ekonomia e të cilës ishte goditur rëndë. Populli Iranian e mirëpriti ujdinë. “Irani nuk kërkon të ndërtojë armë të shkatërrimit në masë dhe nuk do ta bëjë kurrë. Irani nuk dëshiron t’i bëjë presion vendeve të rajonit. Marrëdhëniet tona sot, hyjnë në një nivel të ri”, tha Rouhani.

Dalja nga izolimi ekonomik nisi në janar të vitit 2016, kur fuqitë botërore filluan të hiqnin sanksionet kundër Republikës Islamike, pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore njoftoi se Irani po i bindej ujdisë. Sekretari amerikan i Shtetit konfirmoi bashkëpunimin e Teheranit gjatë një konference në Vjenë.

“Pas më shume se dy vite e gjysmë negociata intensive shumëpalëshe, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore ka verifikuar se Irani i është përmbajtur përkushtimit për kufizimin e programit bërthamor, ashtu siç e kërkon marrëveshja e arritur në muajin korrik”, tha John Kerry, Sekretar i Shtetit.

Para korrikut të vitit 2015, Irani kishte rezerva të mëdha të uraniumit të pasuruar dhe gati 20 mijë centrifuga, të mjaftueshme për krijimin e 8 deri në 10 bombave bërthamore, sipas administratës Obama. Nëse Irani do të vendoste të ndërtonte një bombë do të duheshin 2 deri në 3 muaj për të bërë. Por pas inspektimeve të kryera në komplekset bërthamore të Republikës Islamike, ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore arritën në përfundimin se rezervat e uraniumit të pasuruar kishin shkuar nën kufirin e 300 kilogramëve dhe përqendrimi i uraniumit të pasuruar nuk e kishte tejkaluar kufirin e 3,67%. Për arkitektin e ujdisë, Barack Obama, ky ishte një sukses madhor, ndërsa Irani fliste për nisjen e një epoke të artë historike dhe ekonomike. “Bisedimet bërthamore të zhvilluar nën udhëheqjen e liderit Suprem të revolucionit, mbështetjen e popullit dhe partneritetin e të gjitha shtyllave të shtetit, janë vërtet një prej kapitujve më të arta të historisë së vendit”, u shpreh Rouhani.

Festa nuk zgjati shumë

Por kapitulli i artë në raportet mes shteteve të bashkuara dhe Iranit, dhe pritshmëritë e botës për eliminimin e rrezikut bërthamor që buronte nga Republika Islamike do të merrnin shpejt një goditje të rëndë. Pushteti në SHBA i kishte kaluar republikanëve dhe presidenti i ri Donald Trump ishte zotuar që në kohën e fushatës për shfuqizim të marrëveshjes. Sipas tij, paraardhësi Barack Obama e kishte lejuar Iranin të ruante shumë prej infrastrukturës bërthamore, dhe ujdia i jepte mundësinë Iranit të zhvillonte me shpejtësi një bombë bërthamore në më shumë se një dekadë. Ujdia u bë shpejt shënjestra kryesore e sulmeve të manjatit pa eksperiencë në politikë, ndërsa bota ndiqte e shqetësuar lëvizjet e tij. Goditja e parë erdhi në 13 tetor të vitit 2017, kur në ndryshim nga fuqitë e tjera botërore, administrata Trump nuk pranoi të certifikonte se Teherani po i përmbahej ujdisë, ndërsa Presidenti i ri ashpërsonte retorikën ndaj Republikës Islamike.

“Marrëveshja me Iranian duhej të kontribuonte për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Por prapë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po i përmbahen angazhimeve, regjimi iranian vazhdon të nxisë konflikte, terror dhe trazira përgjatë Lindjes së Mesme dhe përtej. Irani nuk po i përmbahet shpirtit të marrëveshjes”

Donald Trump, President i SHBA

Aleati numër një i Shteteve të Bashkuara dhe armiku i përbetuar i regjimit Iranian, Izraeli, shtoi presionet për tërheqjen e Uashingtonit nga ujdia, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që valviti ato që i quajti prova të pakontestueshme për aktivitet të fshehur bërthamor të Teheranit.

“Së pari, Irani gënjeu mbi faktin se nuk kishte asnjë program për ndërtimin e armëve bërthamore, dhe këto dokumente sekrete e provojnë këtë. Së dyti, edhe pas marrëveshjes, Irani vazhdon të ruajë dhe të zgjerojë aftësitë bërthamore për përdorim të ardhshëm. Ujdia bërthamore bazohet në gënjeshtër”

Benjamin Netanyahu, Kryeministër i Izraelit

Ministri i jashtëm iranian, Javad Zarif, i cilësoi si të papranueshme pretendimet e Donald Trump për ndryshim të ujdisë, dhe ultimatumi i Uashingtonit ndaj europianëve, për të ndrequr marrëveshjen  skadoi pa rezultat. “Më lejoni ta bëj të qartë një herë e përgjithmonë: Ne nuk do të rinegociojmë e as do të shtojmë diçka tek ujdia të cilën e kemi implementuar me vullnet të mirë”, tha ai.

Në 8 maj të vitit 2019, kreu i Shtëpisë së Bardhë i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore që synonte parandalimin e ndërtimit të armëve bërthamore nga Irani, dhe tha se do të rikthente menjëherë sanksionet ekonomike ndaj Teheranit.

“Ne do të zbatomjë nivelin më të lartë të sanksioneve ekonomike. Dhe çdo vend që ndihmon Iranin në qëllimin e tij për ndërtimin e armëve bërthamore do të sanksionohet gjithashtu nga SHBA. Amerika nuk do të bëhet peng i shantazhit bërthamor”, tha Trump.

Presidenti amerikan tha sedo të punonte me aleatët për gjetjen e një zgjidhje më të përshtatshme dhe afatgjatë ndaj çështjes bërthamore të Iranit. Ndërsa përshkallëzonte tonet ndaj regjimit të Teheranit, përpiqej të bindte aleatët dhe popullin amerikan se ky ishte hapi i duhur. Por analistët e cilësuan vendimi si katastrofik.

“Mendoj se është një vendim katastrofik duke konsideruar situatën atje. Ai do të krijojë krisje të thella mes nesh dhe aleatëve, dhe vetëm sa do të përshpejtojë mundësinë e krijimit të një arme bërthamore nga Irani. Nuk e di nëse i ka studiuar detajet e ujdisë, apo e sheh atë thjesht si një arritje të Obama-s”

David Axel Rod, analist i CNN

Firmëtarët e tjerë të marrëveshjes u takuan në Vjenë, në 25 maj të 2018-tës, për herë të parë që kur Trump u tërhoq nga ujdia. Zyrtarët britanikë, kinezë, francezë, gjermanë dhe rusë u përpoqën të shpëtonin me çdo kusht marrëveshjen, duke i propozuar Iranit një strategji të re që do të ruante vërshimin e naftës dhe investimeve, por për Teheranin asnjë lëshim i europianëve nuk e eklipsonte dot bllokadën e Shteteve të Bashkuara. Retorika paqësore e epokës “Obama” i përkiste të shkuarës tashmë.

“Zoti Trump, mos luaj me zjarrin, pasi do të pendohesh përjetësisht”

Hasan Rouhani, President i Iranit

“Presidentit Hasan Rouhani: Mos i kërcënoni kurrë më Shtetet e Bashkuara ose do të vuani pasoja të cilat i keni vuajtur edhe më herët. Ne nuk jemi më një vend që do të bëj sehir ndaj retorikës suaj t të dhunës dhe vdekjes. Kini kujdes!”

Donald Trump, President i SHBA

Presidenti shkoi edhe më tej, duke paralajmëruar se çdokush që do të bënte tregti me Iranin nuk do të kishte marrëdhënie tregtare me Shtetet e Bashkuara.

Lufta e fjalëve filloi të bëhej gjithnjë e më e egër me Teheranin që refuzoi çdo ofertë për bisedime me administratën aktuale të Uashingtonit. Lideri suprem, Ajatollahu Ali Khameni, i bëri thirrje ushtrisë të ishte e përgatitur për frikësimin e armikut, siç u shpreh.

Palët e mbetura në marrëveshjen bërthamore, ranë dakord në 24 shtator të vitit 2018 për të vijuar tregtinë me Iranin, pavarësisht skepticizmit nëse kjo do të qe e mundur pasi sanksionet amerikane për bllokimin e naftës nga Irani, do të hynin në fuqi në muajin nëntor. Në 25 shtator të vitit 2018, kreu i Shtëpisë së Bardhë shfrytëzoi Asamblenë e Përgjithshme të OKB për t’i përcjellë një mesazh të fortë Teheranit.

“Liderët iranianë mbjellin kaos, vdekje dhe shkatërrim. Ata nuk i respektojnë fqinjët e tyre, kufijtë apo të drejtat sovrane të shteteve liderët iranianë i kanë përdorur për t’u pasuruar vetë e për të shkatërruar rajonin e Lindjes së Mesme. Ne nuk mund të lejojmë që sponsori kryesor i terrorizmit në botë të zotërojë armët më të rrezikshme të planetit. Ne nuk mund të lejojmë një regjim që thërret ‘vdekje Amerikës’”

Donald Trump, President i SHBA

Shtetet e Bashkuara u detyruan që të siguronin se sanksionet kundër Republikës Iraniane nuk do të minonin ndihmën humanitare apo sigurinë e autoritetit të aviacionit civil. Por gjykata ndërkombëtare e drejtësisë vendosi në favor të Teheranit, i cili pretendonte se sanksionet e vendosura ne muajin maj nga administrata Trump, shkelnin kushtet e traktatit të miqësisë mes dy vendeve, nënshkruar në vitit 1955.

“Gjykata vlerëson se Shtetet e Bashkuara, në përputhje me detyrimet e traktatit të vitit 1955, duhet të heqin çdo pengesë që buron nga masat e njoftuara në 8 maj të vitit 2018, për eksportin e lirë në territorin e Iranit të ndihmave humanitare”

Abdul Qawi Yusuf, kreu i Gjykatës së Drejtësisë

Por kjo nuk e pengoi Donald Trump të intensifikonte fushatën ndëshkimore ndaj atij që e quante sponsorin kryesor të terrorizmit në botë, duke njoftuar një valë tere sanksionesh në 5 nëntor te 2018, e duke kërcënuar me aksion të mëtejshëm ndaj rivalit të vjetër, hapa këto që Republika Islamike u zotua t’i sfidonte. 700 individë, entitete e kompani u vunë në shënjestër të asaj që administrate Trump e quajti, aksioni më i ashpër njëditor kundër Iranit. Me përshkallëzimin e masave ndëshkimore, rreziku i një konfrontimi u bë gjithnjë e më real. Drama po zhvillohej tashmë në një tjetër front, ngushticën e Hormuzit në detin e Gjirit Persik, arteria strategjike ku kalon çdo ditë 1/3 e naftës botërore.

Në dhjetor të vitit 2018, Shtetet e Bashkuara nisën pozicionimin e marinsave, luftanijeve, dhe avionëve luftarakë F-22, në Gjirin Persik, me qëllimin për të ngritur atje një bazë ambicioze nga ku do të mund të zhvilloheshin sulme të forcave speciale. Flota e 5-të amerikane nisi lundrimet pranë Ngushticës së Hormuzit, për të siguruar stabilitetin në rajonin e brishtë, pikërisht ndërsa Irani kërcënonte ta mbyllte kalimin kyç për ekonominë. Gara e muskujve po intensifikohej, dhe Irani nisi fushatën e promovimit të kapaciteteve ushtarake, si në rastin kur inauguroi një nëndetëse të armatosur me raketa “Cruz”. E gjithë bota ndiqte me shqetësim zhvillimet dramatike në gji nga ku po frynte gjithnjë e më shumë erë lufte. Trump nuk përjashtoi mundësinë e një konfrontimi ushtarak duke konsideruar tensionet e larta mes dy vendeve. “Ata po na kërcënojnë dhe ne kemi informacione që ju nuk i dini. Kemi anijet më të fuqishme në botë, të cilat janë gati”, tha Donald Trump.

Sulmi ndaj dy cisternave norvegjeze dhe japoneze të naftës në Gjirin e Omanit, i cili iu atribua Teheranit, ofroi një dritare të rëndësishme të përmasave të konfliktit. Çmimi i naftës u rrit me 4%, mes shqetësimeve për furnizimet më naftë nga lindja e mesme. Bazuar në llojin e armëve të përdorura nivelin e nevojshëm të ekspertizës, Pentagoni ishte i bindur se pas ngjarjes qëndron Irani. Për ta vërtetuar publikoi një video.

Incidenti i radhës u shënua në 20 qershor, kur garda revolucionare Iranin e rrëzoi një dron amerikan që po fluturonte në jug të Iranit. Iranit iu atribua edhe sulmi me dronë ndaj dy impianteve gjigande në Arabinë Saudite, në kompleksin më të madh të përpunimit të naftës në botë, Aramco. Edhe pse rebelët Huthi morën përsipër autorësinë administrata Trump e drejtoi edhe një herë gishtin nga Irani. Përballja ushtarake mes Teheranit dhe Uashingtonit përvijohej gjithnjë e më shumë në horizont.

Ndërsa të dyja palët nuk shpreheshin në favor të një skenari lufta, lufta ishte në prag të derës dhe këtë e vërtetoi vetë Donald Trump, kur tha se kishte hequr dorë nga një sulm me dron ndaj Iranit në moment të fundit, pasi i kishin thënë se rreth 150 civilë mund të mbeteshin të vrarë. “Ata më thanë. Zotëri në jemi gati, por na duhet një vendim. U thashë se duhet të dija diçka para se të shkoni. Sa qytetarë iranianë do të vriten. Rreth 150 më thanë. Nuk më pëlqeu. Mendova se ishte e papërshtatshme”, tha Trump.

Shkarkimi i këshilltarit për sigurinë John Bolton, mbështetës i fuqishëm i luftës sugjeroi se Trump, pavarësisht presioneve, kërkonte të linte një shteg të hapur për dialogun. E megjithatë nuk hoqi dorë nga arma e tij e preferuar, presioni, duke vendosur sanksione të reja që shënjëstronin ministrin e jashtëm Javad Zarif dhe Ajatollahun Ali Khamenei. Irani tha se sanksionet e kishin mbyllur derën e diplomacisë, njoftoi se do të tejkalonte limitin e pasurimit të Uraniumit të dakordësuar në marrëveshjen e vitit 2015 dhe aktivizoi centrifuga të avancuara në impiantet bërthamore.

Ujdia bërthamore e arritur me shumë mund të vitin 2015, është tani pranë kolapsit, me Iranin që po shkel haptazi angazhimet e tij, dhe firmëtarët e tjerë që kërcënojnë me rikthim të sanksioneve. Me vendimin për ta tërhequr SHBA nga marrëveshja, Donald Trump i dha nismë një reaksioni zinxhir i cili tanimë duket i vështirë të zhbëhet. As Shtetet e Bashkuara, as Irani e as bota në përgjithësi nuk e duan një tjetër luftë si ajo e Irakut në vitin 2003, por ringritja e urave të shembura diplomatike duket e vështirë.