Akuzat e PD ndaj kreut të SPAK, KLP: Të gjithë prokurorët kanë kaluar me sukses verifikimet

kraja 2 1100x620

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike në lidhje me kryetarin e SPAK, Arben Kraja, sipas të cilave ai kishte qenë hetues i komunizmit.

KLP sqaron se Kraja, sikurse edhe prokurorët e tjerë pjesë e strukturës, kanë kaluar disa filtra para se të zgjidheshin për këtë detyrë dhe bën thirrje për t’i mbështetur në punën e tyre.

“E kuptojmë se e shkuara personale dhe profesionale e prokurorëve të SPAK është e rëndësishme për suksesin e tyre dhe të institucionit. Po ashtu ne e kuptojmë se suksesi i SPAK nuk do të përcaktohet thjesht dhe vetëm nga avantazhet procedurale dhe organizative të tij në krahasim me strukturat pararendëse. Imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku i gjerë janë gjithashtu thelbësorë.

E kaluara e tyre është hetuar imtësisht në 4 rrafshe:

(i) Është verifikuar nëse kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe të ish – sigurimit të shtetit në periudhën 29.11.1944 deri në 02.07.1991;

(ii) Është verifikuar nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar gjatë periudhës së punës si prokurorë;

(iii) Është verifikuar nëse pasuria e tyre është e ligjshme; dhe

(iv) Është verifikuar nëse aftësitë e tyre profesionale janë të përshtatshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.

Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses verifikimet e sipërpërmendura. Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Madje, kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga Këshilli për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Më tej prokuroret e SPAK janë përzgjedhur midis shumë të tjerëve në një proces konkurrues dhe transparent”

Reagimi i KLP