Pasojat e tërmetit, Durrës, gjykata liron ish-drejtorin e Kavalishencës

Përditësuar më: 27/12/2019, ora 16:54

Pasojat e tërmetit, Durrës, gjykata liron ish-drejtorin e Kavalishencës

Përditësuar më: 27/12/2019, ora 16:54

Ish drejtori i Kavalishencës, Ahmet Doda u lirua gjatë ditës së premte nga paraburgimi, ku mbahej prej datës 15 dhjetor si një nga 9 personat e arrestuar, të dyshuar si përgjegjës për humbjen e jetëve nën rrënojat e godinave që u shemben pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në Kavalishencën që drejtonte 52-vjeçari Doda, në momentin e tërmetit dhe ku u shemb një pjesë e hotelit të këtij institucioni, humbi jetën pedagogu Bajram Hajdarmataj.

E njëjta gjykatë e cila 12 ditë më parë vendosi të mbante në paraburgim Ahmet Dodën, ka ndryshuar mendje duke vendosur lirimin e 52-vjeçarit, nga arrest me burg në detyrim paraqitje dhe pezullimin e ushtrimit të detyrës publike që ka pasur.

Ende nuk janë të qarta mbi çfarë faktesh dhe provash gjykata jep dy vendime të kundërta për të njëjtin person dhe për të njëjtin fakt, por burimet e A2 shprehen se masa e sigurisë ka ndryshuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të Dodës.

Në momentin e arrestimit të ish drejtorit Doda, prokuroria kishte dyshime se pjesa e hotelit të Kavalishencës ishte dëmtuar që në tërmetin e 21 shtatorit dhe mosmarrja e masave për mbylljen e saj shkaktoi shembjen në tërmetin e 26 nëntorit, ku për pasojë humbi jetën nën rrënoja pedagogu Bajram Hajdarmataj.

Edhe pse deri më tani nuk ka ndonjë shkresë që të konfirmojë nëse Kavalishenca ka qenë apo jo e pabanueshme pas tërmetit të 21 shtatorit, duket se për lirimin e ish-drejtorit Doda ka shërbyer gjendja e tij e rënduar shëndetësore dhe shtrimi në spital.