Drama e familjes Lika, pa shtëpi e pa përkrahje, të harruar në Lavdar

Të moshuar, të sëmurë, pa asnjë krah pune dhe pa përkrahje,  dhe tashmë prej gjashte muajsh edhe pa shtëpi. Kjo është drama e familjes Lika në fshatin Lavdar të Korçës. 

Banesa e tyre u dëmtua që në tërmetin e 1 qershorit por askush nuk i vuri dorë në të dhe më pas në 26 nëntor banesa e tyre u bë e pabanueshme. Kryeplaku i fshatit e strehoi çiftin e të moshuarve dhe djalin e tyre të sëmurë në një banesë tjetër në fshat, pronarët e të cilës jetojnë jashtë shtetit.

Pëllum Lika

Por edhe aty kjo familje vetëm me të ardhurat e pensionit dhe pa asnjë përkrahje për sëmundjet dhe pamundësitë e tyre për të lëvizur dhe madje për të parë, e ka mjaft të vështirë të jetojë. Madje ata e kanë mjaft të vështirë edhe të përshkruajnë gjendjen e tyre.

 “Unë nuk shoh. Më kanë thënë se kanë rënë muret e shtëpisë, nuk mund të banohet fare. Unë jam i verbër, nuk ecë. Nuk më kanë dhënë as shoqërues asgjë, as nuk dimë si të flasim me ato të Bashkisë”, thotë kryefamiljari Pëllum Lika, që dergjet në shtrat.  

Kryeplaku i Lavdarit, Xhevdet Fira

Ndërsa Xhenani, bashkëshortja e Pëllumbit, tregon sorollatjet në zyra për të siguruar një përkrahje ose shoqërues për të shoqin, ndërsa për djalin e sëmurë nuk merr asgjë. “Ka 8 muaj që kemi bërë dokumentet, asgjë për KEMP-in”, shton ajo.   

Lënien në harresë të kësaj familje e pranon edhe kryeplaku i fshatit Lavdar, Xhevdet Firaj. “Kam tentuar të flas me kryetarin por ndoshta ai i harron këto gjera, se për vete është mirë. Nuk erdhën as kuvertat dhe batanijet, ku rra tërmeti”, thotë kryeplaku.

Xhenan Lika

E ndërsa kjo familje po përpiqet të sigurojë mbijetesën, festat e fundvitit janë një luks i tepruar për ta. “Si të ndihem unë, si mos më keq. Pa shtëpi, pas gjithë asaj pune. Ç’të bëjmë, na zuri, do ta heqim”, ul kokën zonja Xhenan.