Eksodi i mjekëve… 650 ikje në 4 vjet, për pagë dhe jetë më të mirë

Përditësuar më: 31/12/2019, ora 14:57

Eksodi i mjekëve… 650 ikje në 4 vjet, për pagë dhe jetë më të mirë

Përditësuar më: 31/12/2019, ora 14:57

Mjekët po ikin! Spitalet po boshatisen! Specialistët me përvojë kanë lënë sistemin shëndetësor për një punë më të mirë jashtë vendit. Ndërsa shumë mjekë të rinj nuk arritën të hynin në pavione. Me valixhet gati, me të marrë diplomën u larguan edhe ata.

Aurora dhe Elona Meta janë dy nga shumë mjekët shqiptarë të vendosur në Gjermani. Si të gjithë të rinjtë e shkëlqyer në mësime, edhe për dy motrat nga Patosi i Fierit, mjekësia ishte ëndrra dhe dëshira e tyre. E prekën, por nuk arritën të bënin betimin e Hipokratit në vendin e tyre. U larguan shumë arsye.

“Konkursi atëherë ka qenë goxha i vështirë, edhe në periudhën time, me forcat e mia dola në 20-shen e parë të fituesve për mjekësi. Dhe kjo ishte krenari në atë periudhë”, thotë Aurora. “Sa më afër vinte fundi që po shikoja që do të mbaroja dhe si ishte gjendja me punësimin dhe specializimin vihej re se kush do të bëhej pedagog, kush do të bëhej shef, ose që do të merrte një vend specialiteti. Pasi e nuhata që nuk kisha asnjë lloj perspektive vendosa që do të shkoj diku jashtë shtetit”.

“Duhet të vendosja a duhet të jetoja në Shqipëri, me të ardhura të kufizuara ku ardhmja është e reduktuar, apo do të jetoja në një vend si Gjermania, ku duhet të jap mbi 100%”, tregon Elona. “Më dha shumë motivacion ideja që motra iku dhe thashë edhe unë pas saj”.

Aurora Meta Dollenberg, mjeke shqiptare në Gjermani, duke biseduar me gazetaren e A2 Ornela Joti.

Fillimi nuk është asnjëherë lehtë. Përballja me mjeket gjermanë dhe diskriminimi prej tyre përcillej edhe përmes të bardhës së bluzave. “Më kanë thënë direkt që ‘është më mirë të ikësh, ta lesh vendin tonë’ dhe në fillim mua mu duk diçka traumatike, por kjo më ndihmoi që të luftoja edhe më tepër”, kujton Elona.

Aspak miqësorë ishin dhe mjekët italianë në përballjet e parë me kolegët shqiptarë. “Mirë se erdhe në shtëpinë e gjarpërinjve!”… kjo ishte përshëndetja e mjekëve italianë ndaj Adela Sulejmanit, mjekes se re që u vendos në Itali pas një burse të fituar. Zgjodhi të flasë me pune dhe prej 5 vitesh po merret dhe me kërkim shkencor. “Në vitin 2014 mu ofrua një bursë nga “Policilinico Gemelli” i Romës dhe kam ardhur për të bërë kërkime shkencore dhe një master. Më pas vendosa të bëja konvertimin e diplomës dhe të punoja në Itali”, thotë Adela Sulejmani.

Pas shume vitesh punë, thyen kufijtë me koleget e huaj. Aurora Meta Dollenberg ka hapur klinikën e saj ne Volfenbytel në Gjermani. Punon mjeke familje, po ashtu si motra e saj, ndërsa Adela në Itali, ku tashmë ndihen të vlerësuara jo vetëm financiarisht. “Bursa që unë marr është 1600 euro, ndërsa kur bëj roje rroga shkon deri në 300 euro në ditë. Ndërkohë që pasi mbaroj specializimin varion në 3000 ose më shumë euro në muaj”, thotë Adela. “Në spitalin ku unë punoj janë 3 mjekë dhe 15 infermierë shqiptarë dhe rreth 40-45 ndihmësinfermiere”.

Nuk ka shifra zyrtare të mjekëve të punësuar vitet e fundit në Europë, ndërsa SOS-i për boshatisjen e spitaleve është dhënë nga shefat e shërbimeve, madje në specialitetet më të rëndësishme. “Në repartin e anestezi-animacionit, ne tashmë kemi mungesë personeli. Qeveria duhet të shpallë SOS-in. Të gjejë mjete për t’i mbajtur këto kontingjente”, thotë Agron Dogjani, kirurg në spitalin e traumës.

Por përse po ikin mjekët sipas drejtuesve më të lartë të ministrisë së shëndetësisë dhe çfarë politikash po ndjek për të frenuar eksodin e tyre? “Më pëlqen të përdor fjalën lëvizje e lirë e mjekëve”, thotë Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë. “Sikurse të gjitha profesionet kërkojnë mundësi në vend tjetër, edhe mjekët e bëjnë këtë. Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e ka në vëmendje të veçantë përmirësimin e kushteve të punës së mjekëve”.

Në spitalet e Tiranës mjekët janë më të ngarkuar, ndërsa në rrethe mungesat mbulohen përmes sistemit të patronazhimit, ku specialistë nga Tirana shkojnë disa herë në muaj për të kryer vizita në shërbimet që mungojnë. Ndërsa mjekëve specialistë, që punojnë për 6 deri 1 vit në një nga spitalet rajonale të vendit, iu ofrohet bonusi prej 250 mijë lekësh në muaj mbi pagë.

Por as kjo politikë nuk i ka ulur ikjet. Ne 4 vitet e fundit 650 mjekë janë larguar nga Shqipëria, afërisht sa numri i të diplomuarve për mjekësi në të njëjtën periudhë.

Ndërkohë, Aurora dhe Elona Meta, veç punës dhe familjes në Gjermani, kanë krijuar federatën e mjekëve, vijim i organizatës së mjekëve të së ardhmes krijuar që kur ishin studente. Tashmë synojnë edukimin në vazhdim të specialistëve të mjekësisë. Konferenca e radhës, me mjekë shqiptarë që punojnë në Tiranë dhe shtete të tjera të Europës, u mbajt në Milano.

Shkëmbimi i eksperiencave mes mjekëve shqiptarë në Europë do të vijojë, por kthimi për ta në Shqipëri duket i largët, gati i pamundur.

Nëse eksodi i mjekëve drejt vendeve të Europës do të vijojë me këto ritme, pas disa vitesh nuk do të kemi ku të vizitohemi në Shqipëri, e ndoshta për një vizitë rutinë do të shkojmë në Itali, apo Gjermani, ku janë të punësuar qindra mjekë shqiptarë.