Ndërrimi i viteve, Policia Rrugore apel qytetarëve: Mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit

Përditësuar më: 30/12/2019, ora 23:09

Ndërrimi i viteve, Policia Rrugore apel qytetarëve: Mos drejtoni mjetin nën efektin e alkoolit

Përditësuar më: 30/12/2019, ora 23:09

Policia Rrugore e Tiranës prezantoi planin  e masave të ndërmarra gjatë natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri, me qëllim për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Drejtori i Policisë Rrugore, Edmond Tarkaj, përmes një deklaratë për shtyp informoi se do të ketë kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore në vend dhe iu bëri thirrje qytetarëve që të mos drejtojnë mjetin pasi të kenë konsumuar alkool, pasi nuk do të tolerohet askush.

“Nga dita e sotme akset  rrugore kryesore të vendit  do monitorohen me radar, me qëllim parandalimin e shpejtësisë, e cila është burim potencial për aksidente rrugore. Po në këto akse do ketë edhe kontroll me alkooltestuesit drager, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve të automjeteve që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Në gjithë akset rrugore, qoftë në zonat urbane apo ato rurale, do ketë prezencë të shtuar të Policisë Rrugore, me qëllim monitorimin e qarkullimit, eliminimin e vonesave. Për natën e ndërrimit të viteve, Policia Rrugore ka marrë masa për të gjitha sheshet, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Policisë së Rendit dhe me Policitë Bashkiake, me qëllim disiplinimin e qarkullimit dhe eliminimin e konfuzionit apo bllokimeve që mund të lindin. Po në kuadër të këtyre masave, gjatë orëve të para të mëngjesit të datës 1 janar e në vijim do ketë kontrolle të shtuara duke përdorur alkooltestuesit drager, me qëllim parandalimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur”, deklaroi Tarkaj.