Nga Panucci, te Reja, një vit kuqezi… Rënia dhe ringritja e kombëtares

Përditësuar më: 1/1/2020, ora 15:20

Nga Panucci, te Reja, një vit kuqezi… Rënia dhe ringritja e kombëtares

Përditësuar më: 1/1/2020, ora 15:20

Në mars të vitit 2019, Shqipëria ishte një skuadër e cila nuk i ngjasonte aspak Kombëtares, që realizoi kualifikimin historik në Europianin e vitit 2016. Me Cristian Panucci-n në stol thuajse gjithçka shkoi keq. Nga zhgënjimi në Ligën e Kombeve, te nisja e kualifikueseve të Europianit 2020 me humbjen në shtëpi përballë Turqisë. Ajo përballje vulosi largimin e trajnerit, me kuqezinjtë që pak ditë më pas regjistruan fitoren e parë në fushën e Andorrës.

Në më pak se një muaj, në stolin kuqezi u emërua Edy Reja. Një trajner me karrierë të jashtëzakonshme, që me urtësinë dhe eksperiencën e tij kishte detyrën e vështirë ta ringrinte ekipin në atë periudhë tranzicioni. Loja dhe rezultatet ishin shumë larg pritshmërive, ndërsa morali përtokë. Kombëtarja kishte rënë në një pikë që jepte pak shpresa për vazhdimësinë. Për koeçidencë, edhe Reja e nisi aventurën duke rënë.

Një aksident, fatmirësisht pa pasoja, që shërbeu për t’u ringritur. Si për trajnerin, ashtu edhe për skuadrën.

Në debutimin në stol, më 8 qershor, Shqipëria e Edy Rejas e humbi ndeshjen e parë në Islandë. Ndeshje ku kuqezinjtë u shfaqën për shumë momente si skuadra më e mirë në fushë, por në fund u dënuan nga një episod.

Menjëherë më pas erdhi fitorja me Moldavinë, ndërsa prej 11 qershorit Kombëtarja regjistroi edhe dy fitore të tjera me Islandën dhe sërish ndaj moldavëve. Zhgënjimet nuk munguan: duke nisur nga humbja e pamerituar 1-0 në transfertën me Turqinë. Ai rezultat, e nxori Shqipërinë përfundimisht nga gara.

Po aq zhgënjyes ishte edhe barazimi në shtëpi me Andorrën. Një vetëvrasje që erdhi nga përqendrimi i tepruar në ndeshjen e fundit ndaj Francës. Të gjithë ishin me mendjen te sfida me kampionët e botës në stadiumin e ri kombëtar dhe Shqipëria humbi shansin që për herë të parë në histori t’i mbyllte kualifikueset në kuotën e 15 pikëve.

Në fund, Kombëtarja e mbylli grupin H në vendin e katërt, në kuotën e 13 pikëve, duke barazuar rezultatin e dytë më të mirë në histori, të kualifikueseve të Euro 2006 dhe Botërorit 2018. Pavarësisht zhgënjimeve që ndodhën gjatë rrugës, Edy Reja arriti ti rikthente kuqezinjve personalitetin, lojën dhe rezultate.

Trajneri arriti të grumbullonte 10 pikë në tetë ndeshje në krye të stolit, periudhë gjatë së cilës u mund dy herë nga Franca. Në këtë pikë, qëndrimi i trajnerit 74-vjeçardukej i pashmangshëm. Pavarësisht dyshimeve për moshën e madhe apo faktit se u pa si një trajner për të kaluar momentin e krizës, Reja e fitoi besimin e federatës. Rinovimi ende nuk është zyrtarizuar, por hedhja e firmës duket vetëm një formalitet.

Reja vazhdon nga puna, ndërsa projekti afatgjatë me kontratë 4-vjeçare, për Ligën e Kombeve dhe kualifikueset e Botërorit2022 do të shqyrtohet vit pas viti. Bazuar në gjendjen e trajnerit për të vijuar punën e nisur, por edhe prej rezultateve që do të arrihen. Edy Reja dhe Shqipëria është një histori që vazhdon, të paktën edhe për një edicion.