Opozita e zëvendësuesve, funksionale apo fasadë parlamentare?

Përditësuar më: 2/1/2020, ora 07:39

Opozita e zëvendësuesve, funksionale apo fasadë parlamentare?

Përditësuar më: 2/1/2020, ora 07:39

“Duhet të shtrëngojmë dhëmbët dhe dërgojmë dënglat e këtyre”, do të thoshte Edi Rama në muajt e parë të vitit…

Por, Kryeministrit nuk iu desh të duronte shumë. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe deputetët që drejtonin vendosën të braktisin kuvendin në shkurt. Retorika politike e Lulzim Bashës u zëvendësua nga ajo e Majlinda Halilajt, ndër të parët deputetë që pranuan të merrnin mandatin e lënë nga demokratët.

Majlinda Halilaj, deputete e opozitës në Parlament.

Dorëzimit të mandateve i kishin paraprirë protestat. Dhe opozita e quante veten tepër në një Parlament ku sipas saj, i cungohej fjala e lirë, deputetët talleshin dhe gjuha e përdorur ishte larg asaj intelektuale.

Akuzat, talljet, goditjet me vezë, hedhja e bojës, “gruas sime i ha atë që nuk thuhet”, ishin vetëm disa nga ngjarjet e shëmtuara në dy muajt e parë të vitit.

Lefter Koka i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe demokratët Myslym Murrizi e Rudina Hajdari nuk pranuan të dorëzonin mandatin e deputetit. Vendim i cili u solli përjashtimin nga partitë.

“Unë kam qejf të largohem nga politika me votën e qytetarëve shqiptarë, jo me urdhër të disave që kanë marrë përsipër të jenë pronarë të 140 karrigeve të Parlamentit”, thotë Myslym Murrizi.

“Shpeshherë njerëzit që dalin nga rreshti gjykohen. Në fakt, familja ime ka një histori të ngjashme, me babain tim në kohën kur ai ishte pjesë e PD. Ai është përjashtuar dy herë nga PD”, tha Rudina Hajdari.

Vetëm 24 orë  pasi kishte marrë 56 dorëheqjet e para, Kuvendi i kërkon komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bëjë zëvendësimin në lista, pa shpallur më parë vakancën. Një skenar ky i përkrahur edhe nga ndërkombëtarët,  ndryshe ky nga ai fillestari që procesin e zëvendësimit e kishte menduar të zvarritur në kohë, për t’i lënë mundësi opozitës të tërhiqej.

Ndërkohë, kreu i PD, Basha, i bënte thirrje ndërkombëtareve të mos propozonin zgjidhje që nuk do t’i vinin në zbatim në vendet e tyre. “Nga Skandinavia në vendet mesdhetare të Bashkimit Europian”, thoshte Basha.

Fillimisht ishin 4 deputetët e rinj që pranuan mandatet e lëna nga PD e LSI. Hynë si opozitarë por u shfaqën konfuzë që në seancën e parë, duke votuar pro qeverisë. Votat e zëvendësuesve për të votuar kodin zgjedhor apo dhe ligjet e mbetura të reformës në drejtësi, duket se konsideroheshin të vlefshme dhe nga ndërkombëtarët.

“Shqipëria ka mbështetjen e vazhdueshme të SHBA. Institucionet dhe Parlamenti po funksionojnë, janë legjitime”, u shpreh zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Matthew Palmer. “Reforma Zgjedhore kërkon 84 vota, pra shumicë të cilësuar. Nuk e di nëse të gjithë deputetët janë pro saj apo jo. Ne rekomandojmë dialogun”, tha ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt.

Ndërsa të rinjtë vazhdonin të betoheshin për disa javë rresht në sallën e Kuvendit, jashtë saj, të vjetrit i konsideronin tradhtarë. Madje në rastin e Ralf Gjonit, revoltat e përkrahësve të LSI-së kaloi dhe në vepra. Gjonit iu zu një pritë në derën e shtëpisë, ku iu hodh bojë e kuqe në fytyrë.

Kur pjesa më e madhe e vakancave u plotësua, opozita e re nisi organizimin duke krijuar grupet e  para parlamentare. Rudina Hajdari dhe Nimet Musai ishin kryetarët e grupit parlamentar demokrat krijuar nga lista e PD dhe të grupimit të të pavarurve, nga ajo e LSI. Pavarësisht shtrëngimit të radhëve mes vetes, frika e një marrëveshje të fshehtë mes Bashës e Ramës nuk e braktisi kurrë opozitën.

Me kalimin e javëve, nisi të flitej shumë edhe për cilësinë e deputetëve të rinj, por edhe atyre që, pasi iu dha mundësia, po bëheshin protagonistë. “Parlamenti aktual është ndër më të dobit nga ana cilësore, nuk lidhet vetëm me deputetët e rinj, por edhe ata tradicionale”, thotë politologu Afrim Krasniqi.

“Flasim për integritet moral, ne flasim për një aksion të fortë opozitar, ne flasim për mbrojtjen e interesave të vendit. Nuk duhet të degradohemi në këtë lloj mënyre dhe të flasim për gjëra kaq të vogla, sepse është vërtet e turpshme që të ketë sulme për lapsuse. Ato kanë qenë e vetmja gjë e dobët që janë marrë gazetarët, në mënyrë që të dobësojnë rolin tim në Parlament”, thotë Rudina Hajdari.

“Nuk kanë qenë elitë kjo pejsa që ka qenë para këtyre”, thotë deputeti Myslym Murrizi. “Gjithsesi kjo nuk është përgjegjësi e imja, i ka zgjedhur Lulzim Basha me Monikën”.

“Nuk jam ndjerë mirë, sepse këtu duhet të jetë përfaqësimi maksimal i njerëzve. Këtu duhet të përfaqësohen të gjithë njerëzit dhe kur ne këtu ke mangësitë tona në botëkuptim, në shprehje, në njohuritë tona, në kulturën tonë, imagjino se çfarë mund të bëjmë për ata”, thotë Andi Përmeti.

Andi Përmeti

Opozita e  re i dha mundësi maxhorancës të kapte numra që nuk i arrinte as kur kishte LSI si aleate. Kjo u rëndoi më shumë me damkën e “veglave të Edi Ramës”, që morën kur u futën si zëvendësues në Kuvend. Por, arriti ajo të imponohej dhe të bënte opozitën?

“Vetë mandati i tyre buron nga listat proporcionale të PD. Kështu që nëse ka reflektim nga kjo situatë është se si partitë bëjnë listat”, thotë Afrim Krasniqi.

Me 102 vota u ngrit Komisioni Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës. U votuan anëtarët e rinj të institucioneve të reja të drejtësisë, apo dhe ligji për gjykatën kushtetuese dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve , të mbartura prej vitesh në sirtarët e Kuvendit. Edhe pse jo të nevojshme, votat e disa prej opozitarëve iu bashkuan dhe paketës antishpifje të Edi Ramës, ndaj të cilës  po kolegët e tyre e kishin kundërshtuar fort.

Përveç betejës me maxhorancës, opozita kishte dhe betejën brenda llojit. Rudina Hajdari u tentua të zëvendësohej nga Korab Lita. Por pas disa përplasjesh, çështja duket se u la në heshtje.

Gjatë vitit 2019, nuk u organizuan në një parti, por ky nuk përjashtohet si një opsion për vitin 2020.