Presidenti Meta dekreton me rezerva buxhetin e vitit 2020

Përditësuar më: 30/12/2019, ora 14:09
13 NENTOR PRESIDENCA ILIR META frame 44598 1024x576

Presidenti Meta dekreton me rezerva buxhetin e vitit 2020

Përditësuar më: 30/12/2019, ora 14:09

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar buxhetin për vitin 2020. Megjithatë, thuhet se ky dekret është me shumë rezerva, pasi Presidenca thekson se janë konstatuar shumë problematika.

Sipas Presidencës, vendimi është marrë për të mos penguar zbatimin e masave të menjëhershme që lidhen me riparimin e pasojave të shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019.

Problematikat e konstatuara nga Presidenti:

Buxheti i vitit 2020 nuk reflekton progres drejt një përmirësimi të politikës fiskale, që aktualisht karakterizohet nga një barrë fiskale e lartë, sistem tatimor i fragmentuar, me përjashtime, si dhe një sistem me një baze tatimore shumë të ulet.  

Për më shumë, ndryshimet fiskale të propozuara zgjerojnë më tej përjashtimet si dhe diferencimin e normave tatimore.

Projekt buxheti nuk krijon më shumë hapësirë për shpenzimet publike të cilat mbështesin rritjen ekonomike, si investimet publike apo shpenzime, si rritja e pagave, pensioneve dhe pagesave të cilat nxisin konsumin.

Investimet publike në përqindje të PPB në vitin 2020 janë më të ulta se në vitin 2018 dhe në vitin 2019, si dhe nuk parashikohet rritje të pagave dhe rritjes reale të pensioneve dhe të pagesave të tjera. 

Ulja e shpenzimeve publike për sektorin e arsimit në përqindje të PPB nuk ka adresuar shqetësimet e vazhdueshme në vite, të ngritura nga institucionet arsimore dhe studentët, pavarësisht angazhimeve të marra.

Projekt buxheti nuk thellon decentralizmin dhe rritjen e autonomisë financiare të pushtetit vendor përderisa ritmet e rritjes së transfertës për pushtetin vendor janë në vijimësi në ulje, të mos plotësimit faktik të detyrimit ligjor për ndarjen e të ardhurave nga taksimi mbi të ardhurat personale, të mbulimit të plotë financiar të funksioneve të transferuara, dhe mos shlyerjes së detyrime të prapambetura.

Një rrezik të shtuar fiskal për shpenzimet publike për vitin buxhetor 2020 paraqet  rritja e vlerës së projekteve të PPP ekzistuese dhe numrit të projekteve të reja, i rrezikut të injektimit të kapitalit për Koorporatën e Investimeve,  i financimit të humbjeve të sektorit të energjisë, si dhe rritja e kostos së borxhit publik. 

Një rrezik potencial është dhe vetë rritja e stokut të borxhit publik për shkak të rritjes së kostos së tij, si dhe përfshirjes së plotë në llogaritje e detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve privatë për punimet e kryera, nga mosrimbursimi i TVSH,  nga detyrimi i tepricës kreditore nga tatim fitimi, të vendimeve gjyqësore vendore dhe ndërkombetare,  si dhe borxhit ndaj pushtetit vendor.

Mosrealizimi i rritjes ekonomike dhe i të ardhurave buxhetore, si dhe risqet fiskale në rritje për vitin 2020, në një kontekst të rritjes së detyrimeve ndaj rreziqeve të shumta fiskale, do të rezultojë në uljen e mëtejshme të shpenzimeve të planifikuara për investimet publike, të shpenzimeve të funksionimit, si dhe të shpenzimeve për paga e shpenzimeve sociale.