Banorët e Thumanës paralajmërojnë grevë urie, PD: Tërmeti i vërtetë nis pas 3 janarit

Përditësuar më: 31/12/2019, ora 14:32
Screenshot 2 27 1024x680

Banorët e Thumanës paralajmërojnë grevë urie, PD: Tërmeti i vërtetë nis pas 3 janarit

Përditësuar më: 31/12/2019, ora 14:32

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe ish deputetët Albana Vokshi, Lindita Metaliaj dhe Gent Strazimiri, u takuan me përfaqësues të mbi 100 familjeve të Thumanës, të strehuar në një hotel në Shëngjin, të cilët kanë paralajmëruar nisjen e një greve pas vendimit të qeverisë për të dalë nga hoteli më 3 janar dhe të aplikojnë për bonus qiraje.

Banorët thanë përpara përfaqësuesve të PD se më 3 janar do të nisin një grevë urie pasi me 30 mijë lekë bonus qiraje për kokë që ka caktuar qeveria për të prekurit nga tërmeti, nuk mund të gjejnë një vend për t’u strehuar.

Sekretari i PD, Bardhi i bëri thirrje qeverisë të heqë dorë nga propaganda dhe t’u japë zgjidhje urgjente banorëve të pastrehë, duke mos i detyruar ata të shkojnë në grevë urie.

“Këta banorë duhet të jenë prioritet i prioriteteve për qeverinë. I garantova qytetarëve që ne do të jemi përkrah tyre. Përveçse do të ngremë zërin për problemet e tyre ne i kemi ofruar edhe zgjidhjen. Ato 150 milionë euro që do ia japë edhe në 2020-ën 10 klientëve të tij me të cilët ndan paratë, t’ia heqë atyre njerëzve dhe t’ua bë në dispozicion të zgjidhjes së hallit të jetës që kanë këta qytetarë. Nuk kërkojnë gjë qejfi por një banesë ku të fusin kokën. Kanë hall jete. Kanë shpëtuar falë Zotit nga fati tragjik i humbjes së jetës, por kanë humbur gjithçka që kishin në jetë, banesën, pajisjet që kishin brenda banesës, një pjesë prej tyre ia kanë shembur shtëpitë edhe pa i njoftuar”, u shpreh Bardhi.

Më tej sekretari i PD mori dakordësinë nga banorët e Thumanës që në emër të tyre t’i drejtojë një letër qeverisë dhe bashkisë së Krujës për të zgjidhur tre çështje urgjente.

“E para, të vijnë t’ju takojnë dhe t’ju informojnë se çfarë do të bëhet me ju. E dyta, Këshilli Bashkiak të rrisë menjëherë bonusin për qiratë. Me 30 mijë lek nuk merret dot shtëpi me qira. Në qoftë se ata mendojnë se ju mund të gjeni shtëpi me qira me 30 mijë lekë, atëherë të lirojnë shtëpitë e tyre. E treta, nëse nuk kanë besim, t’jua gjejnë vetë shtëpinë me qira dhe bashkia ose qeveria ta paguajë vetë atë.”- tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.