Granatë në zyrë, plagoset kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe

Përditësuar më: 31/12/2019, ora 11:27

Granatë në zyrë, plagoset kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe

Përditësuar më: 31/12/2019, ora 11:27

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë mëngjes në Lushnjë, në bashkinë e së cilës ka ndodhur një shpërthim i fortë nga i cili janë plagosur kryetari i bashkisë Fatos Tushe dhe sekretarja e institucionit.

Nga informacionet paraprake, mësohet se ka qenë ish shoferi i kryetarit të Bashkisë 45-vjeçari Gëzim Saraçi, i cili e ka pritur kryetarin e bashkisë jashtë bashkisë, para se ai të vinte për në pune dhe është ngjitur bashkë me të drejt zyrës.

Gjatë kësaj kohë kanë debatuar së bashku dhe kur kanë hyrë në zyrë ai ka nxjerrë një mjet, që dyshohet se ishte granatë dhe e ka shpërthyer. Nga shpërthimi është plagosur lehtë kryetari i bashkisë Fatos Tushe dhe më rëndë sekretarja e bashkisë Erisa Qalliu. Të dy janë dërguar në spitalin e Lushnjes jashtë rrezikut për jetën.

Burimet thonë se Gëzim Saraçi, 45-vjeçari nga Karbunara ka qenë shofer i Tushes dhe gjatë punës kanë pasur debate, shkak për të cilin ai është pushuar nga puna. Kjo besohet se ka qenë edhe arsyeja e aktit të sotëm.

Gëzim Saraçi është shpallur në kërkim dhe për kapjen e tij janë ngritur postblloqe policore. Në Lushnje kanë shkuar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe Drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj.