SPAK, ndëshkim dhe politikë

Përditësuar më: 31/12/2019, ora 18:00

SPAK, ndëshkim dhe politikë

Përditësuar më: 31/12/2019, ora 18:00

Lajmi i mirë është që sot vendi ka Strukturën e Posaçme Anti krim dhe korrupsion. Përtej ankesave politike e akuzave të zakonshme, arritëm të krijojmë disa struktura, për të cilat, pritshmëri të janë maksimale. Por lajmi i keq është se, jemi ende pa kupolën e larte të drejtësisë. Pra indirekt, edhe strukturat e reja të drejtësisë, janë “pa një çati” që t’i mbulojë, nga “kushtet e vështira atmosferike”.

Ndërsa nëse flasim profesionalisht, ende jemi në fazën kur të paprekshmit, mbeten të paprekshëm, pavarësisht “gam-gameve” politike e administrative. Skandalet mediatike që prekin emra të përveçëm të politikës, deri në rangje të larta drejtuese, e kanë bërë të pamundur zbardhjen dhe hetimin e tyre. 

Institucionet reja të drejtësisë, nuk e kanë mundësinë të “shijojnë” rritjen e tyre graduale. Sfidat që kanë përpara, e kalojnë edhe numrin e dosjeve që janë bërë pirg vit pas viti. Por, përveç punës profesionale, anëtarët e këtyre institucioneve, kanë mbi supe edhe peshën më të madhe jo materiale: atë të bindjes së publikut se e kanë me të vërtetë këtë angazhim. E kjo do të thotë, pranga zyrtarëve të korruptuar, vënia para drejtësisë të të fortëve me lidhje politike, e politikanëve me lidhje me të fortët.  

Por krimi në një vit ndonëse më i lartë në shifra, se vit që lamë pas, nuk kurseu as njerëzit e drejtësisë. Atentatet ndaj dy prokurorëve në Durrës dhe Vlorë, do të mbeteshin jo vetëm në tentativë, por edhe pa autorë, ndërsa një avokat do të mbetej viktimë e krimit të organizuar, duke na dhënë mesazhe se askush nuk është imun para tij. 

Krimi i ka shtrirë fijet shumë lart, dhe pothuajse është bërë një me politikën. Është e vështirë të thuash, me siguri të plotë, ku mbaronte infiltrimi i krimit të organizuar dhe ku fillon politika dhe mbajtja e përgjegjësisë politike. Rasti më emblematik është dënimi i një ish-ministri.

Tre muaj para se të përmbushë 2 vite nga nisja, procesi i vetting-ut, pastrimi i sistemit të drejtësisë nga të korruptuarit dhe të lidhurit me krimin, numëron 94 gjyqtarë e prokurorë të konfirmuar në detyrë dhe 84 të shkarkuar. Procesi me qëllim thelbësor, rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia, solli pasoja jo vetëm për sistemin.  Hendeku i krijuar nga të larguarit ka shtoi ngarkesën tek gjyqtarët e prokurorët në detyrë, duke sjellë vonesa në shqyrtimin e çështjeve dhe në vetë dhënien e drejtësisë. Nga ana tjetër, lëvizja e ngadaltë e mekanizmave nga institucionet përgjegjëse për plotësimin e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë bëri që 2019-ta t’i gjente jashtë funksionit dhe t’i linte po ashtu.