Nuk jeton prej 28 vitesh, por Freddie Mercury vijon të dërgojë dhurata

Freddie Mercury 10 CREDIT Simon Fowler c Mercury Songs Ltd 1000 600x338

Supermarketi Fortnum & Mason prej 28 vitesh vijon të plotësojë një nga dëshirat e fundit të këngëtarit të njohur Freddie Mercury. Ylli i muzikës, ndërroi jetë 28 vite më parë, por kishte caktuar një pjesë të trashëgimisë të tij për blerjen e dhuratave të Krishtlindjes për familjarët dhe të afërmit.

Lideri i Queen dëshironte shumë që miqtë e afërt të kishin çdo Krishtlindje një dhuratë prej tij për të hapur poshtë pemës. Kështu që nga vigjilja e Krishtlindjes së 1992 nga supermarketi Fortnum & Mason në rrugën 181 në Piccadilly shpërndahen pako me dhurata për njohje të vjetra, nipër dhe të afërm të Mercury.

Këtë detaj kaq të veçantë e bëri të ditur për mediat britanik një zëdhënës i supermarketit. Një dëshmi vjen dhe nga Elton John, i cili në librin e tij biografik rrëfen se ka marrë një dhuratë Krishtlindjesh një muaj pas vdekjes së këngëtarit unik.

Bëhej fjalë për një pikturë të rrallë të fundit të viteve 1800 të piktorit anglez, Henry Scott Tuke. Pakoja shoqërohej dhe me një pusullë ku shkruhej “E dashur Sharon, mendova se ty do të pëlqente shumë. Me dashuri Melina. Gëzuar Krishtlindjen”. Sharon dhe Melina ishin emrat që dy këngëtarët përdornin si “Drag Queen”.