Thaçi i jep 48 orë kohë për marrjen e mandatit të Kryeministrit, Kurti: Do ta sjellim propozimin tonë sa më parë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi priti në një takim konsultues, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili fitoi zgjedhjet e 6 tetorit.

Ata diskutuan shkurtimisht për situatën politike në vend, ndërsa u dakordësuan për formimin sa më të shpejte të qeverisë së re. Presidenti i ka dhënë 48 ore kohe Lëvizjes Vetëvendosje për të mandatuar kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.

Pas takimit, Kurti tha se diskutimi disa minutash mes tyre ishte pa efekte juridike dhe se pas mbledhjes së kryesisë së partisë do të dërgojnë emrin e mandatarit për qeverinë e re. Krahas kësaj, Kurti kërkoi sa më shpejt takim me LDK-në në mënyrë që të formojnë qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Por mbi mundësitë e kompromiseve të reja, Kurti theksoi se nuk ka kthim mbrapa për postin e kryeparlamentarit, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, dhe se  çështja e postit të presidentit  duhet të lihet për më vonë. “Ai tha se e di që iu nevojitet një kohë e caktuar për këtë gjë. Gjithashtu kërkoi që ne të bëjmë propozimin. Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe aktgjykimit siç e kemi lexuar ne është e nevojshme që këtë ta bëjmë me një shkresë me shkrim. Prandaj për këtë kërkesë të presidentit, unë do të raportoj në kryesi të VV-së dhe sa më parë që mundemi do t’ia sjellim presidentit propozimin tonë për kryeministrin e ardhshëm”, tha ai.

Duke shprehur optimizmin e tij për marrëveshje me LDK-në, Kurti shtoi: “Unë dua që sa më parë të takohemi bashkë me LDK dhe të fillojmë të fazën e re të përmbylljes së këtyre bisedimeve në mënyrë që të kurorëzojmë marrëveshjen e një koalicion që e ka dashur populli më 6 tetor. Për mua takim mund të kishim qysh dje, qysh pardje, edhe sot vazhdimisht jemi në komunikim. Unë përherë kam pritur dhe kam insistuar për takime sa më të shpeshta sepse nuk bëhet marrëveshja shpejt pa takime të shpeshta… Kurdo që ata janë të gatshëm unë jam në kontakt me ta. Mos të keqkuptohemi, fakti që nuk kemi pasur takim, nuk do të thotë që nuk jemi në komunikim dhe unë do të komunikoj sërish qysh sot, se kur do të kemi takimin e radhës”,  tha Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes i hodhi poshtë gjitha zërat për shkarkimin e Glauk Konjufcës si kryeparlamentar, pasi tha se në marrëveshjen me LDK-në nuk do të ketë kthim prapa. Kandidati për kryeministër edhe një herë tha se posti i presidentit duhet të diskutohet më vonë dhe jo tani sikurse kërkon LDK-ja. “Për bindjen time të fuqishme më mirë do të ishte që çështjen e presidentit të diskutojmë kur t’i vije koha edhe pasi të kemi qeverisur së bashku”, tha Kurti.

Për mundësitë e zgjedhjeve të reja,  Kurti tha se nuk i dëshiron ato, por nëse imponohen, atëherë janë të gatshëm, pasi sipas tij partia e tij nuk ka partner tjetër përveç LDK-së, derisa theksoi se qeveria e pakicës nuk është njëra prej opsioneve të tij.