Irani nderon Soleimanin, ka dhjetra të vrarë të shtypur nga turma

Trupi i liderit ushtarak të Iranit Kasem Sulejmani mbërriti në qytetin e tij të lindjes Kerman, ku edhe do të varroset sot, pas 3 ditësh zie kombëtare.

Por turma që po nderon gjeneralin e vrarë nga një operacion i forcave amerikane në Bagdad u mblodh në sheshin kryesor të qytetit dhe raportohen dhjetëra persona të shtypur, ku shumë prej tyre kanë ndërruar jetë. Shifrat janë ende të paqarta, gjithmonë e në rritje, por për momentin deklarata e televizionit shtetëror iranian flet për 35 të vdekur.   

Një ditë më herët homazhet u zhvilluan në Teheran, ku lutjet u drejtuan nga ajatollahu Ali Khamenei. Sipas televizionit shtetërorë miliona njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit, aq sa mund të dalloheshin edhe nga imazhet satelitore.

 Irani është zotuar për hakmarrje të ashpër ndaj shteteve të bashkuara dhe të dielën njoftoi se nuk do ti përmbahej më kufizimeve të programit bërthamore, sipas marrëveshjes së vitit 2015-të me fuqitë e huaja.

 Kreu i Gardës revolucionare iraniane kërcënoi ‘’t’i vinte zjarrin’’ vendeve të mbështetura nga SHBA. Presidenti amerikan Donald Trump u kundërpërgjigj se Shtetet e Bashkuara do të reagonin ashpër, duke kërcënuar edhe me shënjestrimin e zonave kulturore iraniane.

Deklarata nxiti reagime të ashpra ndërkombëtare. Soleimani ishte përgjegjës për mbrojtjen dhe forcimin e ndikimit të Iranit në rajon, dhe gjatë karrierës së tij ka mbështetur presidentin sirian Bashar Al Asad, milicitë shiite të Hezbollahut në Liban dhe ka udhëhequr grupet militante irakiane kundër shtetit islamik.