Tensionet SHBA-Iran, Australia në flakë dhe “Megxit”

Përditësuar më: 11/1/2020, ora 16:43

Tensionet SHBA-Iran, Australia në flakë dhe “Megxit”

Përditësuar më: 11/1/2020, ora 16:43

Tensionet mes Shteteve të bashkuara dhe Iranit përshkallëzuan që prej ardhjes në pushtet të Donald Trump. Presidenti amerikan tërhoqi vendin e tij nga ujdia bërthamore e arritur me shumë mund në vitin 2015-të, dhe nisi një fushatë të egër sanksionesh kundër Republikës Islamike. Pas një kohë të shkurtër paqeje dy rivalet ju rikthyen përplasjeve të vjetra.

Nga kërcënimet u kalua shpejt tek incidentet, si ato në gjirin e Hormuzit, ku kalon një pjesë e konsiderueshme e naftës botërore. Por tensionet do të kulmonin në ditët e parë të vitit 2020, kur Shtetet e Bashkuara njoftuan vrasjen e njeriut të dytë me të pushtetshëm të Iranit, gjeneralit Qasem Soleimani. Për Uashingtonin ai ishte një terrorist, përgjegjës për vdekjen e shumë ushtarëve amerikanë në rajon.

Irani u zotua për hakmarrje të ashpër, dhe ende pa varrosur Soleimanin, goditi dy baza amerikane në Irak. Ndërsa bota mbajti frymën me frikën e një lufte të re, sinjalet përtej Atlantikut treguan se për momentin, lufta nuk është opsion.

Deklaratat më të rëndësishme të këtyre ditëve

“Vrasja e Qasem Soleimani ishte një akt lufte, do të përgjigjemi në mënyrë të ashpër”

Javad Zarif Ministëri Jashtëm i Iranit

“Nëse ata do të sulmojnë, diçka që nuk ua sugjerojmë, ne do të godasim edhe më fort nga ç’kemi bërë deri më tani”

Presidenti amerikan Donald Trump

“I dhamë një shuplakë në fytyrë Shteteve të Bashkuara. Aksione të tilla ushtarake nuk janë të mjaftueshme. Është e rëndësishme t’i japim fund pranisë së korruptuar të SHBA në rajon”

Ajatollahu Ali Khameni

“Cilido që do të përpiqet të na sulmojë do të përballet me goditjen më të fortë të mundshme. E theksojmë fort, qëndrojmë në krah të SHBA”

Benyamin Netanyahu, Kryeministër i Izraelit

“Kriza aktuale prek jo vetëm rajonin por të gjithë ne. Përdorimi i armëve duhet të ndalet për t’i hapur rrugën dialogut”

Ursula Von Der Leyen, Presidente e Komisionit Europian

Por ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara doli krenar para popullit amerikan, duke thënë se nuk kishte pasur asnjë viktimë në radhët e ushtarëve amerikane, kostot e kësaj gare muskujsh duket se i paguan qytetarë të pafajshëm. Në një zhvillim dramatik, informacione të inteligjencës sugjeruan se një avion Ukrainas me 176 persona ne bord, ishte rrezuar jo si pasojë e një defekti teknik por nga një rakete iraniane.

Gjenerali amerikan: Irani i rrezikshëm, por nuk pres të sulmojë Shqipërinë

Shqipëria e gjeti veten të përfshirë në mesin e këtij konflikti të frikshëm, pasi Ajatollahu Ali Khamenei përmendi një vend të vogël, të pabesë në Europë, që, siç tha, bashkëpunon me terroristët duke komplotuar kundër Iranit. Por sa i rrezikshëm është Irani dhe a ka ndonjë mundësi që edhe ne të bëhemi shënjestër e zemërimit të regjimit të Ajatollahut?

Për këtë folëm me gjeneralin amerikan Michael Barbero. “Irani e di se lufta nuk është në interesin e tij. Qëllimi kryesor i regjimit është mbijetesa dhe ata e dinë që nëse shkojnë në luftë do të humbnin. As ne nuk e dëshirojmë një luftë. Megjithatë duhet thënë se janë të rrezikshëm”, tha Barbero. “Sa i përket Ballkanit, nuk pres ndonjë aksion të Iranit në Shqipëri”.

Zjarret në Australi, tragjedia e vazhdueshme e një kontinenti që digjet

Që prej muajit shtator të vitit të kaluar, Australia përballet me zjarret më shkatërruese në dekada. Stina e verës rezultoi një ferr I vërtetë në tokë për këtë kontinent. Imazhet që vijnë nga shteti i “kangurëve” janë vërtetë apokaliptike. Flakët e fuqishme që shkuan deri në 70 metra lartësi janë përhapur me shpejtësi, të ndihmuara nga thatësira dhe erërat e forta.

Vatrat e zjarrit kanë vrarë dhjetëra persona; miliona kafshë; kane shkrumbuar mijëra banesa dhe kanë djegur miliona hektarë  tokë bujqësore dhe pyje. Zjarrfikësit, por edhe vullnetarët e shumtë, e kanë të pamundur të mposhtin dhe të parandalojnë përhapjen e flakëve. Kartolina aktuale që vjen nga Australia, sigurisht që ka dëmtuar turizmin. Qindra mijëra persona janë larguar nga ky kontinent, ndërsa të tjerët sfidojnë të nxehtin me temperatura deri në 50 gradë celsius.

Shumë prej tyre kritikojnë qeverinë, me kryeministrin Scott Morrison që braktisi vendin e përfshirë nga emergjenca me zjarret, për të pushuar në Havai bashkë me familjen. E ardhmja për këtë kontinent nuk duket aq e mirë, duke marrë parasysh efektet negative që sjellin ndryshimet klimatike.

Ndryshimet klimatike konsiderohen si pjesërisht përgjegjëse për situtatën e krijuar në Australi. Rekordet e temperaturave janë thyer për disa muaj me radhë, ndërsa thatësira po zgjat përtej çdo parashikimi. Por, ashtu si klima ka ndikuar te zjarret, edhe zjarret po diktojnë klimën, mendon meteorologia Tanja Porja. “Ka një lidhje reciproke mes ngjarjeve klimatike dhe motit ekstrem, sepse ky ishte, faktori që shkaktoi zjarret e kësaj vere në Australi. Këtë vit, temperaturat në pjesën më të madhe të Australisë kanë shënuar 41-46 gradë celsius, ndërsa ka pasur temperatura në p[jesën qendrore deir në 50 gradë celsius. Ky ka qenë shkaku kryesor i zjarreve”, thotë ajo.

“Megxit”… Princi rebel dhe bashkëshortja amerikane kërkojnë shkëputjen nga Familja Mbretërore

Harry, Princi rebel i Mbretërisë së Bashkuar, nuk ka pasur kurrë një marrëdhënie të mirë me të qenit pjesëtarë i Familjes Mbretërore. Në qendër të vëmendjes për një numër skandalesh, që nga koha e adoleshencës, e vulosi antikonformizimin me martesën e tij me Meghan Markle, një aktore afro-amerikane. Por nuk u mjaftua me kaq. Së fundmi, çifti njoftoi se do të tërhiqej nga detyrat mbretërore dhe se do ta ndante kohën mes Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Njoftimi duket se ka lënduar Familjen Mbretërore. Sipas BBC, Harry dhe Meghan nuk u konsultuan me pjesëtarët e tjerë të familjes dhe për ta vendimi ka ardhur si rrufe në qiell të hapur. Kjo për analistët është shume e çuditshme. Ka nga ata që e krahasojnë sjelljen me atë të nënës së ndjerë të princit Harry, Princeshës Diana. Shenjat se çifti ishte i pakënaqur me jetën brenda familje mbretërore kanë qenë të dukshme prej disa muajsh. Në tetor, Dukesha e Sussex nisi procedurat ligjore kundër tabloidit “Mail on Sunday”, pasi ky i fundit publikoi një prej letrave të saj private. Në atë kohë, Princi Harry tha se bashkëshortja e tij, ishte bërë viktima e fundit e shtypit britanik, pas një fushatë propagandistike të pamëshirshme.

Panairi i teknologjisë, të gjitha risitë në Las Vegas

Panairi i përvitshëm i teknologjisë në Las Vegas sjell risitë e fundit. Skena Globale për Inovacion, CES, nisi zyrtarisht punimet, por kompanitë patën njoftuar dhe më përpara disa nga produktet e tyre. Televizorët kanë një vend të veçantë në këtë panair.

Samsung zbuloi një model që sillet nga horizontal në vertikal, për një ekran që është zgjatim i smartfonit, një mënyrë që lehtëson shikimin e videove. Por disa kompani kane menduar dhe për bebet. Lumi nga Pampers është një pelenë e zgjuar. “Sensori i aktivitetit gjurmon automatikisht gjumin e bebes 24 orë në ditë, për 7 ditë në javë. Gjithashtu edhe gjendjen e pelenës dhe lagështinë”, tha Mandy Treeby, zëdhënëse e Pampers.

Shpikjet e tjera janë zhvilluar për të ndihmuar të moshuarit dhe ata që përkujdesen për ta. Pecola është një robot që kontrollon nëse gjërat janë mirë, dhe nëse të moshuarit kanë vështirësi ata kërkojnë ndihmë. Ndërsa pizhamet “E-skins smarts” kanë sensorë që mund të tregojnë kur një person rrëzohet.

Disa risi teknologjike janë vetëm për zbavitje, si roboti që thjesht dashuron të zotin. Bartesian, është një pajisje për koktej. “Është një proces 20-sekondësh, dhe vetë pastrohet në fund. Kështu nuk përzien shijet në koktejin e radhës”, thotë shpikësi, Ryan Close.

Të vegjël e të mëdhenj, të gjithë janë gati për pjesën e tyre në tregun e elektronikës. Risitë pritet të sjellin fitime deri në 422 miliardë dollar gjatë vitit të ardhshëm.