Censusi i shpendëve, numërim në Prespë dhe Pogradec

Tre specie të rralla shpendësh migratorë dimërorë janë evidentuar gjatë censusit vjetor të shpendëve në parkun kombëtar të Prespës. Censusi po kryhet në liqenet në rajonin e Korçës dhe specialistët e zonave të mbrojtura thanë se numri i shpendëve vijon të jetë i përafërt me atë të vitit të kaluar mbi 20.000, ndërsa vërehen në liqen 25 lloje shpendësh.

“Secili liqen ka specifikën e tij. Ndryshojnë llojet. Këtë vit vihet re prania e “murcakut”, e cila është një indikator për ujin e pastër dhe kjo është një gjë e rëndësishme për liqenin e Pogradecit” tha Gani Bego, specialist i AKZM.

Spase Shumka, pedagog në Universitetin të Tiranës thotë se qëllimi i tij është të përcaktojë llojet dhe numrin e shpendëve migratorë që vijnë nga zonat e ftohta. Ai sheh çdo vit rritje në numër dhe kjo është mjaft pozitive. Në liqenin e Ohrit ka specie specifike që nuk i gjen në liqene të tjera siç është “Nori i Arktikut”, thotë profesori.

“Qëllimi kryesor është për të parë se si kryhet migrimi i shpendëve nga zonat e Arktikut drejt zonave tona gjatë stinës së dimrit. Së dytë është sjellja e numrit të shpendëve me habitatet që ne kemi në vendin tonë dhe njëkohësisht për të parë dhe llojet specifike të cilat janë karakteristike që në disa raste vijnë dhe në disa të tjera jo”, tha pedagogu Shumka.

Ky është edicioni i 20 i censusit të shpendëve migratorë në Parkun Kombëtar të Prespës dhe në Liqenin e Pogradecit.