Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Kthimi i paketës antishpifje, “Reporterë pa kufij” mirëpret vendimin e Metës

Nga A2 CNN
13 Janar 2020, 12:40 | Aktualitet
Kthimi i paketës antishpifje, “Reporterë pa kufij”

Mosdekretimi dhe kthimi në kuvendi I dy ligjeve të së ashtuquajturës “paketa antishpifje” nga Presidenti Ilir Meta, është përshëndetur nga organizata “Reporterët pa kufij”.

Përmes një reagimi në rrjetin social Twitter, organizata vlerëson vendimin e kreut të shtetit dhe pohon se paketa antishpifje shihet si një përpjekje për të kontrolluar median, në kundërshtim me kushtetutën shqiptare dhe konventës për të drejtat e njeriut.

Në argumentet të cilat Ilir Meta arsyeton kthimin, janë se paketa shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik, shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, të shtypit dhe të informimit.

Paketa antishpifje u miratua në Kuvend në 18 dhjetor 2019, ku mori 80 vota pro. Socialistët argumentojnë se ndryshimet synojnë të formalizojnë tregun “online” duke mbrojtur qytetarët, ndërsa shqetësimet e gazetarëve dhe ndërkombëtarëve, sipas tyre, janë adresuar.

Pavarësisht ndryshimeve që mazhoranca pretendon se ka bërë deri në moment të fundit, nuk ka gjetur zgjidhje një nga pikat më shqetësuese të ligjit, ajo e pagesës së gjobës pa pritur të shprehet gjykata.

Nga ana tjetër, ndërkombëtarët kërkuan reduktim të gjobave, por amendamentet e fundit të paraqitura nga grupi socialist shkojnë në drejtim të kundërt, duke e rritur tavanin nga 400 në 600 mijë lekë për portalet, ndërsa për televizionet mbeti i pandryshuar, 1 milion lekë. Kush kapet në shkelje më shumë se 3 herë në vit, gjobitet akoma më rëndë. 

Ndërsa përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Désir ka deklaruar më parë se është dhënë mbështetja për shumë amendamente në këtë ligj nga ana e organizatës së tij, por do t’i kërkohet qeverisë një akt nënligjor për çështjen e gjobave ndaj mediave që ato të jenë proporcionale.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani