Kurti i përgjigjet Thaçit: Po finalizojmë marrëveshjen me LDK

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti akuzon presidentin Hashim Thaçi për ndërhyrje dhe paragjykim të procesit të formimit të institucioneve në Kosovë.

Kreu i shtetit i shkroi përsëri liderit të Vetëvendosjes ditën e premte, duke i kujtuar se populli priste dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeministër.

Albin Kurti ju përgjigj gjithashtu me një letër, ku ndër të tjera pohon.

“Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e qeverisë në Kuvend. Presidenti nuk ka kompetencë t’i drejtohet asnjë deputeti të Kuvendit, asnjë kryetari partie, asnjë kryetari të grupit parlamentar apo asnjë përfaqësuesit të një koalicioni parazgjedhor me pyetjen se a e pranon mandatin për Kryeministër apo jo”.

Kurti përsërit gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe se ende nuk është dërguar propozimi për Kryeministër.

“Do ta bëjmë këtë në të ardhmen e afërt, me shkresë zyrtare, sapo të jemi gati. Vetëvendosje nuk po e shfrytëzon këtë kohë për të neglizhuar ndërtimin e koalicionit, as edhe të cenojë autoritetin e Presidentit, por me qëllim të arritjes së një marrëveshje politike që adreson një dakordim për programin qeverisës, zvogëlimin e qeverisë dhe reformat e thella që e presin vendin në muajt e vitet në vazhdim”, u shpreh Albin Kurti.

Kurti thekson në letër se janë në fazën e finalizimit të marrëveshjes me LDK-në.